Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Frika nga Covidi dhe mbyllja totale ulën numrin e dhurimeve të gjakut për fëmijët talasemikë


Presidenti i vendit Ilir Meta mori pjesë në një konferencë të organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Talasemisë, nga ku tha se gjatë vitit të kaluar ka patur një ulje të ndjeshme në numrin e dhuruesve të gjakut për të sëmurët talasemikë, ndikuar nga pandemia e Covid-19 dhe mbyllja totale.

Por me qetësimin e situatës dhe një pjese të popullsisë të vaksinuar, presidenti Meta u bën thirrje qytetarëve e në vvecanti moshave të reja, që të ndërgjegjësohen për të dhuruar gjak për të shpëtuar jetët e fëmijëve të prekur nga Talasemia.

“Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Talasemisë, na kërkohet të rrisim më tej ndërgjegjesimin e të gjithë qytetarëve tanë e sidomos të vendimmarrësve, rreth talasemisë, për të ndihmuar pacientët talasemikë që të jetojnë një jetë normale dhe po ashtu të ndërmarrim nisma me qëllim parandalimin, menaxhimin dhe kurimin e kësaj sëmundjeje.

Me gjithë arritjet e shkencës në përmirësimin e jetës së pacientëve talasemikë, shumë prej tyre përballen me sfida si mungesa e kujdesit gjithpërfshirës në qendrat e specializuara, mungesa e një përfshirjeje të plotë shoqërore dhe profesionale pa u stigmatizuar dhe margjinalizuar, apo mungesa e gjakut të mjaftueshëm e të sigurtë për nevojat e tyre.

Problematikat që të sëmurët Talasemikë duhet të përballojnë, u vështirësuan akoma më shumë për shkak të situatës dhe pasojave të pandemisë së Covid-19.

Megjithë punën e jashtëzakonshme të shoqatave të ndryshme, të institucioneve shëndetësore, të Aleancës për Dhurimin e gjakut, të rinjve dhe të rejave që u janë përgjigjur thirrjeve për të dhuruar gjak, të shumë seancave të dhurimit që janë zhvilluar në qytete të ndryshme të vendit në komunitetet lokale dhe ato të huaja, gjatë vitit të pandemisë ka patur një rënie të konsiderueshme të numrit të dhurimeve në pamundësi të plotësimit të nevojave për gjak të të sëmurëve talasemikë të vendit tonë.

Frika nga infektimi me Covidin dhe mbyllja totale ishin disa nga faktorët që ndikuan në këtë ulje të numrit të dhurimeve.

Por tashmë në një situatë më të qetë, me vaksinimin e një pjese të popullsisë si dhe me imunizimin e një pjese tjetër, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht të rinjve dhe të rejave, të bashkohen me kauzën e dhurimit të gjakut. Mjaftojnë vetëm 10 minuta për të dhuruar gjak dhe mbi të gjitha për të shpëtuar jetën e fëmijëve talasemikë”- thotë Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *