Pas trazirave të ashpra që vazhduan gjatë natës së të martës në qytetin e përzier hebre-arab të Lod-it, u shpall një gjendje e jashtëzakonshme.
Ministri i Mbrojtjes Benny Gantz njoftoi vendosjen e disa njësive të Policisë Kufitare për të ndihmuar në shuarjen e dhunës.
Të paktën dy persona ishin në gjendje të rëndë nga përplasjet e së martës, ku u dogjën tre sinagoga dhe dhjetëra makina.
Në Aço, një qytet tjetër i përzier arabo-hebre në Izraelin verior, një burrë 84-vjeçar u lëndua rëndë kur një restoranti iu vu flaka nga protestuesit. Rreth 25 banorë të dy qyteteve Ramla dhe Lod u arrestuan të martën në mbrëmje, dhe 151 arrestime u regjistruan gjithsej brenda rrethit qendror-verior të Izraelit.
“Ne kemi humbur kontrollin e qytetit dhe rrugëve.”– u ankua Kryetari i Bashkisë së Lodit, Yair Revivo për mediet lokale.
Shefi i Policisë së Izraelit Kobi Shabtai komentoi mbi dhunën në Lod: “Ne nuk e kemi parë këtë lloj dhune që nga Tetori i vitit 2000”.
Ai iu referuar trazirave arabe që ndodhën në fillim të asaj që do të bëhej më vonë Intifada e Dytë.
Uri Buri, një restorant popullor me peshk me një pronar hebre në qytetin e përzier bregdetar të Akrit, ishte djegur. Pamjet e transmetuara nga Channel 12 treguan se pjesa e jashtme e restorantit ishte nxirë dhe djegur, dhe dritaret e tij ishin thyer.
Ndërkohë në Jaffa, afër Tel Aviv, protestuesit arabë u përleshën me policinë, e cila qëlloi me bomba për t’i shpërndarë.
Në qytetet arabe në të gjithë Izraelin dhe territoret palestineze, policia arrestoi 21 protestues që morën pjesë në demonstrata të dhunshme.
Të arrestuarit akuzohen për hedhjen e gurëve, vendosjen e fishekzjarreve, djegien e koshave të plehrave dhe gomave, si dhe sulmin ndaj oficerëve të policisë, shkruan Jerusalem Post.
Kryeministri Benjamin Netanyahu udhëzoi forcat e sigurisë të përgjigjen ashpër ndaj atyre që protestojnë me dhunë dhe kërcënojnë sigurinë publike.
“Ne nuk do ta tolerojmë këtë; ne kemi nevojë për të rivendosur qetësinë.“- tha Netanyahu gjatë një vizite të mërkurën para agimit në Lod. “Nëse kjo nuk është një situatë emergjente, unë nuk e di se çfarë është. Ne po flasim për jetën dhe vdekjen këtu.”
Kur u pyet nga gazetarët nëse veprimtaria e policisë në Jeruzalem mund të jetë bërë shkak për trazirat në Lod, Netanyahu ua ktheu shkurt: “Këto ngjarje nuk kanë asnjë justifikim; kjo është urrejtje”.
Të mërkurën në mëngjes, një baba 52 vjeçar dhe vajza e tij 16 vjeçe u vranë kur një raketë e hedhur nga Gaza goditi makinën e tyre, duke plagosur gjithashtu rëndë nënën, sipas Times of Israel.
Media izraelite raportoi se sinagogat dhe disa biznese ishin djegur, ndërsa kishte dhe raporte të hebrenjve që godisnin me gurë një makinë që drejtohej nga një banor arab.
ברקע האירועים הביטחוניים: מראות מטרידים מעימותים בין צעירים ערביים מקומיים וכוחות משטרה ביפו, רמלה ולוד.
זה למשל מרמלה. pic.twitter.com/UXwZMrmj1i
— אור רביד | Or Ravid (@OrRavid) May 10, 2021
Pse nisi konflikti i fundit?
Jeruzalemi ka qenë skena e konfrontimeve të dhunshme midis hebrenjve dhe arabëve për 100 vjet dhe mbetet një nga qytetet më të diskutuara në Tokë.
Përplasjet e fundit filluan një muaj më parë pas një lëvizjeje nga Izraeli për të bllokuar disa tubime palestineze në fillim të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, në një kohë të ndjeshmërisë së shtuar fetare. Pasi kufizimet u zbutën, tensionet nuk u ndalën por vijuan në kontrontime.
Kjo pas kërcënimeve nga Izraeli për të dëbuar palestinezët nga shtëpitë e tyre në Sheik Jarrah. Kjo është një lagje palestineze jashtë mureve të Qytetit të Vjetër, me tokë dhe pronë të pretenduar nga grupet e kolonëve hebrenj në gjykatat izraelite. Kjo është më shumë sesa një mosmarrëveshje për disa shtëpi, pasi qeveritë e njëpasnjëshme izraelite ndjekin objektivin strategjik për ta bërë Jeruzalemin më hebre.
Vendbanime të mëdha për hebrenjtë u ndërtuan në tokë të okupuar, duke shkelur ligjin ndërkombëtar. Në vitet e fundit qeveria dhe grupet e kolonëve kanë punuar për të vendosur izraelitët hebrenj në zonat palestineze pranë Qytetit të Vjetër.