Bashkëudhëheqësi i Partisë Maori, Rawiri Waititi, u dëbua nga parlamenti i Zelandës së Re pasi akuzoi një koleg tjetër deputet për retorikë raciste dhe më pas kërceu vallen tradicionale ‘haka’ për të shprehur pakënaqësinë e tij.
Waititi u fue pasi liderja e Partisë Kombëtare, Judith Collins, bëri presion mbi kryeministren Jacinda Ardern rreth planit të qeverisë për të futur një shërbim të veçantë shëndetësor për njerëzit autoktonë. Nisma është vlerësuar si një përpjekje për të përmirësuar cilësinë e kujdesit mjekësor për komunitetin Maori.
Debati mbi ndryshimet e diskutueshme ka vijuar për disa javë, me Collins që akuzon qeverinë për promovimin e një ‘axhende separatiste’ që po prezantohej ‘vjedhurazi’.
Politikani Maori e ndërpreu Collins, ndërsa po vinte në pyetje kryeministrin, duke kërkuar nga Kryetari i Dhomës, Trevor Mallard, të vinte në dukje ‘propagandën dhe retorikën raciste’ që synonte njerëzit indigjenë.
“Nëse ne e konsiderojmë të pranueshëm këtë qëndrim në këtë parlament, breshërinë e vazhdueshme të fyerjeve ndaj ‘tangata ëhenua’, atëherë unë e shoh këtë parlament me përçmim.” – tha ai, duke përdorur termin Maori për njerëzit autoktonë.
Mallard më pas bëri thirrje për rend, duke shtuar se mikrofoni i Waititi ishte çaktivizuar. Më pas Waititi nisi të kërcejë një valle Haka, një vallëzim ceremonial i Maoreve që mund të përdoret për të lëshuar një sfidë. Kryetari i irrituar i parlamentit më pas urdhëroi deputetin të largohej nga dhoma.