Vendosni fjalën kyçe....

Pas 1 korrikut, dëmet deri në 30 mijë lekë në aksidente mund të zgjidhen me marrëveshje; do zbatohet “Raporti Evropian i Aksidenteve”


Pas datës 1 korrik, nëse keni bërë një aksident me dëm relativisht të ulët, më pak se 30 mijë lekë, mund ta zgjidhni “konfliktin” me palën tjetër me marrëveshje, dhe të merrni shpejt dëmshpërblimin, pa qenë nevoja të sorrollateni mes raporteve të policisë dhe zvarritjeve të kompanive të sigurimit.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) njoftoi se në zbatim të ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit ka hartuar dhe nxjerrë për konsultim publik “Raportin Evropian të Aksidenteve”. Dokumenti, i nënshkruar nga drejtuesit e mjeteve që përfshihen në një aksident rrugor, do të shërbejë për dëmshpërblimin e shpejtë nga shoqëria e sigurimit në ato raste ku dëmi vlerësohet deri në 30 mijë lekë. Pas procesit të konsultimit, formulari do të miratohet nga Bordi i Autoritetit dhe parashikohet të përdoret pas 1 korrikut të këtij viti, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri.

Sipas të dhënave zyrtare nga shoqëritë e sigurimit, rreth 30-35% e dëmeve në rastet e aksidenteve rrugore janë në vlera të vogla, zakonisht deri në 30 mijë lekë. Këto raste dëmesh, sipas ligjit të deritanishëm “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” janë trajtuar nga shoqëritë e sigurimit bazuar në procedurat standarde brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës për dëmshpërblim, si edhe përmes plotësimit të një sërë dokumentash, përfshirë edhe procesverbalin e konstatimit të shkeljes nga Policia Rrugore.

Ka raste që një pjesë e drejtuesve të mjeteve të përfshira në aksident, për të shmangur procedurat burokratike, apo gjobën e policisë, në rastin e dëmeve të vogla materiale në mjetet e tyre, nuk e raportojnë fare aksidentin dhe nuk bëjnë kërkesë për dëmshpërblim te shoqëria e sigurimit, por e zgjidhin midis tyre.

Ligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili hyn në fuqi më 1 korrik të këtij viti, përmes një dispozite të posaçme përfshin për herë të parë në Shqipëri praktikën e njohur si “Raporti Evropian i Aksidenteve”. Në këtë mënyrë, përmes plotësimit dhe nënshkrimit të formularit të posaçëm (Raporti Evropian i Aksidenteve), i cili do t’i dorëzohet të siguruarit nga shoqëria e sigurimit në momentin kur ai blen policën e sigurimit, drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident bien dakord për zgjidhjen me mirëkuptim të ngjarjes.

Ky raport i nënshkruar nga të dy drejtuesit e mjeteve nënkupton që aksidenti ka ndodhur sipas rrethanave, modaliteteve dhe pasojave të pasqyruara në formular. Raporti i plotësuar dhe i nënshkruar nga drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident i bashkangjitet kërkesës për dëmshpërblim, e cila sipas ndryshimeve ligjore tashmë, duke nisur nga 1 korriku, nuk do të trajtohet brenda 30 ditëve nga shoqëria, por për 14 ditë kalendarike nga data e paraqitjes së dokumentacionit.

Në thelb, zbatimi i “Raportit Evropian të Aksidenteve” sjell reduktim të dokumentacionit, që i siguruari duhet të paraqesë pranë shoqërisë së sigurimit për të përfituar dëmshpërblimin.

Në këtë mënyrë, i siguruari do të ketë më pak kosto financiare, por edhe do të shpenzojë më pak kohë për plotësimin e dokumentave të kërkesës për dëmshpërblim. Përfshirja e kësaj praktike të njohur dhe të aplikuar në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe jo vetëm, zgjidh me mirëkuptim rastet e aksidenteve me dëme të vogla, që ndodhin kryesisht në rrugët urbane (brenda qyteteve), në rrugicat e lagjeve, në parkingje, etj. duke shmangur edhe konfliktet mes drejtuesve të mjeteve, si edhe duke shkurtuar afatet e pagesave të dëmshpërblimit, sqaron AMF.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor

ide


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *