Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, e ka quajtur të paligjshëm vendimin e KAS për të pranuar vetëm disa materiale zgjedhore për ankimimet e bëra nga kjo forcë për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Në një deklaratë për shtyp Kaso thotë se KAS e ka për detyrë të verë në dispozicion të palëve garuese prova të cilat ata nuk mund t’i sigurojnë.
“PD i është drejtuar institucioneve për t’i kërkuar këto prova, por provat nuk janë vënë në dispozicion dhe nuk besoj se do i vihen ndonjëherë në dispozicion opozitës. Detyrimi është i qartë që provat tu vihen në dispozicion procesit ankimor dhe sa kohë këto prova nuk disponohen, procesi nuk mund të jetë i plotë, i qartë dhe çdo mosmarrëveshje zgjedhore nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë.
KQZ ka detyrimin të administrojë çdo që gjë që palët garuese në proces zgjedhor dhe ankimuese, nuk kanë patur mundësi ta sigurojnë dot vetë. PD gjithçka që ka pretenduar e ka të provuar dhe provat i ka të depozituara në KAS, një pjesë e të cilave janë bërë publike.
Ne kemi pretenduar që dimensioni i plotë i gjithçkaje që ka ndodhur do të publikohet dhe do të vijë në vëmendjen e publikut në tryezën e KQZ vetëm pasi të administrohet i gjithë dokumentacioni që ata refuzojnë që ta ndajnë me PD, mediat dhe aktorë të tretë. Pritshmëria jonë për KAS është që ata të zbatojnë ligjin“-tha ai.