Vendosni fjalën kyçe....

ME VIDEO – ‘Kupola e Hekurt’ shkatërron në ajër sulmin me raketa nga Gaza teksa sirenat zhurmojnë në Tel Aviv


Sirenat që paralajmëronin sulmin me raketa ranë mbi Tel Aviv dhe Izraelin qendror e jugor, pak pas mesnatës, ndërsa militantët e Hamasit lëshuan një seri raketash nga Gaza, por shumica e tyre u kapën në ajër nga ‘Kupola e Hekurt’ e ushtrisë izraelite.

Videot e shumëfishta të shpërndara në mediat sociale treguan se qielli i natës u ndriçua nga raketat që dilnin nga Gaza dhe raketat e ‘Kupolës së Hekurt’ që u lëshuan për t’i kapur ato.

Hamas i ka justifikuar sulmet e tij të reja kundër Izraelit si hakmarrje për vrasjen e grave e fëmijëve në kampin e refugjatëve Shati një natë më parë.

Sulmet e mesnatës erdhën menjëherë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbajti një fjalim duke u zotuar se Izraeli do të vazhdojë të godasë Gazën ‘për aq kohë sa të jetë e nevojshme’.

“Pala që mban fajin për këtë përballje nuk jemi ne, jemi ata që na sulmojnë.” – tha ai.

“Ndryshe nga Hamas, i cili qëllimisht synon të dëmtojë civilët duke u fshehur pas civilëve, ne po bëjmë gjithçka, për të shmangur ose kufizuar sa më shumë dëmtimin e civilëve dhe për të goditur drejtpërdrejt terroristët në vend të tyre.” – shtoi Netanyahu.

Më herët të shtunën, ushtria izraelite shkatërroi një ndërtesë ku gjendeshin zyrat e mediave ndërkombëtare, përfshirë Associated Press dhe Al Jazeera – duke pretenduar se ishte një shënjestër e ligjshme ushtarake sepse pretendohet se strehonte ‘inteligjencën ushtarake të Hamas’.

Përplasja e dhunshme gati një javore midis Izraelit dhe militantëve palestinezë u nxit fillimisht nga një vendim i gjykatës Izraelite për të dëbuar disa familje palestineze nga një lagje e Jeruzalemit Lindor, e cila çoi në protesta masive dhe goditje brutale të policisë ndaj demonstruesve. Në shenjë hakmarrje, grupi militant Hamas shënjestroi qytetet izraelite me raketa të hënën, duke bërë që Izraeli të nisë operacionin e tij masiv ushtarak në Gaza.

Luftimet e deritanishme morën të paktën 145 jetë palestineze, përfshirë 41 fëmijë, ndërsa Izraeli raportoi 10 të vdekur, përfshirë dy fëmijë, me qindra të plagosur në të dy palët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *