Një zëdhënëse e UNICEF-it ka folur për situatën e krijuar mes Izraelit dhe Hamasit.
“Është një situatë e tmerrshme. Vetëm në pesë ditët e kaluara ne kemi raportuar se të paktën 40 fëmijë janë vrarë në Rripin e Gazës.”-tha për RT-në Jul Satte Touma, shefe e Komunikimit e UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Ajo shtoi se dy fëmijë u vranë në Izrael gjatë së njëjtës periudhë. Touma u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë luftimet.
“Dhuna nuk do të sjellë zgjidhje. Dhuna do të sjellë vetëm më shumë dhunë. Do të thotë se fëmijët do të vuajnë të parët, dhe ata do të vuajnë më së shumti.”– shprehet zonja Touma.
Zëdhënësja vuri në dukje se më shumë se 30 shkolla u dëmtuan në Gaza dhe tre në Izrael gjatë këtyre luftimeve. UNICEF po punon në terren për të ofruar pajisje mjekësore në enklavën Arabe Palestineze, pasi shumë vendas kanë gjetur strehë në objektet arsimore të drejtuara nga OKB.
“Tani për tani, kur bëhet fjalë për Gazën, asnjë vend nuk është i sigurt për fëmijët.”– tha Touma, duke theksuar se të miturit “duhet të mbrohen në çdo kohë.”
Konflikti që zien midis Izraelit dhe Gazës u përshkallëzua në mënyrë dramatike të hënën, pas përplasjeve midis izraelitëve dhe palestinezëve në Jeruzalem. Grupi militant palestinez i Hamasit filloi të qëllonte me raketa në qytetet izraelite dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) u përgjigjën duke bombarduar caqe të shumta në Gaza. Zyrtarët shëndetësorë thanë se numri i të vdekurve palestinezë shkoi mbi 180 këtë të dielë, me të paktën 52 prej të cilëve që ishin fëmijë. Në Izrael, nga ana tjetër 10 njerëz u vranë gjatë javës.