Vendosni fjalën kyçe....

Vogëlushja 6-vjeçare shpëtohet nga rrënojat në Gaza, vetëm babai i mbetet gjallë nga familja (FOTO)


Një vajzë e vogël në Gaza i ka mbijetuar një sulmi ajror izraelit që shkatërroi shtëpinë e saj dhe i vrau nënën dhe katër vëllezërit e motrat e saj.

6-vjeçarja e quajtur Suzy Eshkuntana është ribashkuar me babanë e saj pasi u nxor nga rrënojat e shtëpisë së saj me ndihmën e ekipeve të shpëtimit dhe u dërgua menjëherë në spitalin Shifa të Gazës të Dielën.

Vajza kishte mbetur e bllokuar për shtatë orë nën rrënoja. Ajo që nga ajo kohë është ribashkuar në spital me babanë e saj, i cili gjithashtu po trajtohej atje për plagët e tij.

“Më fal, bija ime. Ju më thirrët për të ardhur te ju, por unë nuk mund të vija.”- i tha Riyad Eshkuntana të bijës, pasi mjekët i bashkuan duke i lënë në shtretërit ngjitur, citon Daily Mail.

Shtëpia e familjes palestineze u godit në sulmet ajrore izraelite herët të dielën në Gaza. Vetëm gjatë ditës së djeshme, nga këto sulme u vranë 42 persona, mes të cilëve 10 fëmijë.

Kjo e ka çuar numrin e të vdekurve në Gaza në 192, që pas nisjes së luftimeve ditën e hënë.

Izraeli thotë se po sulmon lëvizjen militante islamike të Hamasit që kontrollon Rripin e Gazës dhe që së bashku me Xhihadin Islamik dhe grupet e tjera militante ka qëlluar 2.800 raketa drejt qyteteve izraelite. Ato breshëri raketash kanë vrarë 10 vetë në Izrael, përfshirë dy fëmijë.

Sulmi në shtëpinë e Eshkuntana ishte në të njëjtën zonë ku Izraeli kreu një sulm duke synuar një sistem tuneli militant në Gaza. Ushtria izraelite tha se shembja e sistemit të tunelit bëri që shtëpitë e sipërme të shembeshin dhe çuan në viktima civile të paqëllimta.

Dhjetëra punonjës shpëtimi, oficerë policie, të afërm dhe fqinjë u mblodhën në rrënojat e shtëpisë së familjes Eshkuntana gjatë operacionit të kërkimit dhe shpëtimit.

Pas disa orësh kërkimi, ata filluan të brohorisnin ‘Allahu Akbar’, një sinjal që dikush do të nxirrej i gjallë.

Ajo ishte Suzy, e mbuluar nga pluhuri dhe shumë e dobët për të ngritur kokën. Ajo po qantë ndërsa e dërgonin në një ambulancë. Tanimë Suzy ka mbetur vetëm me babanë, pasi ka humbur të gjithë familjarët e tjerë, nënën, motrat dhe vëllezërit e saj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *