Agjencia Federale Amerikane e Anti-Drogës (DEA) ka reaguar për herë të parë për kapjen e 400 kilogramëve me kokainë në Lipjan të Kosovës.
DEA thotë se operacioni ishte rezultat i një veprimi të përbashkët me disa policive dhe shërbime rajonale ku synohej goditja e krimit të organizuar.
Mediat në Kosovë citojnë një zëdhënës të DEA-as i cili mes institucioneve përmend edhe SPAK-un dhe Policinë Shqiptare.
“Hetimi ishte një përpjekje e përbashkët e shumë agjencive shumëkombëshe që synonte krimin e organizuar transnacional. Shërbimet e ‘Guardia di Financa’ nga Italia, Policia e Shtetit Shqiptar, SPAK nga Shqipëria, Policia e Kosovës dhe DEA (zyrat në Romë dhe Athine) ishin të përfshirë.”- thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të DEA-s.
Sipas zëdhënësit, bashkëpunimi midis këtyre shërbimeve ka luajtur rol kryesor në këtë rast që çoi në identifikimin dhe sekuestrimin e 400 kilogramëve kokainë dhe arrestimin e shtatë personave.
Lënda narkotike u kap dy ditë më parë në Lipjan, në një kamion transportues nga Amerika Latine nëpërmjet portit të Durrësit në Shqipëri. Droga ishte kamufluar në një konteiner mishi.
Shtatë personat e arrestuar gjatë këtij aksioni, pritet që të dalin sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.