Vendosni fjalën kyçe....

Juristi i PD-së: Vetëm 4 prova tregojnë 200 shkelje, KAS refuzon të bëjë transparencë mbi masakrën zgjedhore


Juristi i Partisë Demokratike, Marash Logu ka folur për provat që disponon opozita për parregullsitë e procesit zgjedhor në Vlorë.

Sipas tij, vetëm katër prova që Komisioni i Sanksioneve dhe ankesave ka qenë i detyruar t’i marrë nga PD-ja, faktohen rreth 200 shkelje flagrante të ligjit.

Por sipas tij, KAS ka refuzuar 57 herë për të bërë transparente atë që opozita e quan “masakër zgjedhore”.

Logu tregon një dokumnt që sipas tij vërteton se e njëjta shenjë gishti është përdorur për identifikimin e dy zgjedhësve në dy qarqe të ndryshme. Një rast ky i përsëritur 23 herë.

KOMENTI I LOGUT

Nga kryqëzimi i të dhënave të pajisjeve të identifikimit elektronik (PEI) për qarkun Vlorë, e cila u mor nga KAS me kërkesë të Partisë Demokratike, rezultoi:

  • Shenjat e gishtërinjve të 23 personave janë përdorur për identifikimin e 60 zgjedhësve. Kjo do të thotë se ekziston mundësia që 23 persona të kenë votuar 60 herë, ose rreth 3 herë/secili (shih foton 1 dhe 2 më poshtë).
  • Në foton e parë me nr.rendor 7 rezulton se e njëjta shenjë gishti është përdorur për identifikimin e dy zgjedhësve në dy qarqe të ndryshme: njëri në bashkinë Vlorë dhe tjetri në bashkinë Ura Vajgurore, Berat.
  • Në foton e dytë me nr.rendor 19 rezulton se i njëjti person ka votuar dy herë, një herë në bashkinë Konispol, dhe herën tjetër në bashkinë Sarandë. Po në këtë foto me nr.rendor 21, rezulton se e njëjta shenjë gishti është përdorur për identifikimin e 12 zgjedhësve, pra potencialisht i njëjti person ka votuar 12 herë.

Vetëm katër prova që KAS ka qenë i detyruar t’i marrë, me kërkesë të PD-së, faktojnë rreth 200 shkelje flagrante të ligjit. Ndërsa, shërbëtorët e Edi Ramës në KAS kanë refuzuar jo një herë, por 57 herë, të bëjnë transparencë të plotë mbi masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Këto prova janë dëshmi e pakundërshtueshme se vullneti i 1.78 milionë votuesve u diktua nga krimi dhe paligjshmëria. Megjithatë, ne do ta vazhdojmë betejën. Sepse këtë betejë nuk po e bëjmë as për vete, as për anëtarët e KAS, por për qytetarët shqiptarë, të cilët janë viktimat e vërteta e 25 prillit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *