Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit ka dënuar me 2 vjet burg ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Në vendimin e sotëm gjykata vendosi gjithashtu që Llalla të përjashtohet për 5 vite nga funksionet publike. Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për masën e dënimit të ish-kryeprokurorit Llalla.
Hetimet ndaj tij nisën në vitin 2018 e u përmbyllën me vendimin e sotëm. Ish-kryeprokurorit i janë sekuestruar 4 sipërfaqe toke dhe një shtëpi në Durrës për llogari të shtetit. Pas vendimit të sotëm, Llalla ka 15 ditë kohë për ta ankimuar në Gjykatën e Apelit atë.
Avokati i tij kërkoi në seancën e sotme pafajësi për klientin e tij duke thënë se çështja ndaj tij kishte qenë e njëanshme dhe e paragjykuar.
Po kështu avokati Sokol Hazizaj tha se të gjitha pronat e blera nga Llalla janë bërë përmes kontratave noteriale dhe se çdo shpenzim financiar i tij ka qenë në rrugë bankare.
Edhe pse u akuzua edhe për ‘Pastrim parash’, në fund ish-kryeprokurori u dënua për fshehje të pasurisë.
Gjatë kohës që ishte në detyrë, Llalla u përplas me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, të cilin e akuzoi për çështjen e ‘Bankers Petroleum’. Po kështu Llalla pohoi në një intervistë në ‘Opinon’ se Lu i kishte kërkuar atij të arrestonte Ilir Metën.