Vendosni fjalën kyçe....

“Kohë e papërshtashme politikisht” – Grupi ‘Për PD-në’ kërkon shtyrjen e zgjedhjeve për kreun e partisë


Grupi ‘Për PD-në’, i ka kërkuar kreut të PD-së Basha e kryesisë së partisë shtyrjen e zgjedheve për kreun e ri të sëli blu, të përcaktuar për në datën 13 qershor, nga data 22 korrik që ishte paracaktuar më herët sipas statutit.

Në një reagim zyrtar në Facebook ata theksojnë se afrimi i datës së zgjedhjeve e nxitimi për t’i zhvilluar ato nuk ka qëllim analizën e reformimin e PD-së por shmangien e debatit dhe zhdukjen e garës së hapur duke e quajtur afrimin e datës së zgjedhjeve të pajustifikuar.

Po kështu në kërkesë thuhet se shtyrja e datës së zgjedhjeve pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA-ja të ish-kryeministrit Berisha e familjes së tij është në dobi jo vetëm të PD-së por edhe të vendit.

“Kërkesë

Drejtuar:

Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë;

Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Ne, pjesëtarët e grupit “Për PD”, në Partinë Demokratike, në vijim të Deklaratës sonë dt. 17 maj 2021, mbetetmi të bindur dhe ripohojmë se: “Nxitimi për hapjen e zgjedhjeve nuk ka për qëllim analizën dhe reformimin e partisë, por eleminimin e debatit në rradhët e partisë dhe të një gare të hapur. Vendimi i Këshillit Kombëtar për hapjen e parakohshme të zgjedhjeve është i pajustifikuar.”.

Për këtë arsye gjykojmë se është në dobi të Partisë Demokratike të mirëkuptohet dhe të trajtohet me përgjegjësinë e duhur politike dhe institucionale kërkesa jonë, e cila është:

Shtyrja e datës për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, caktuar për në datën 13 qershor 2021.

Mbetemi të bindur dhe gjykojmë me përgjegjësi se caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike. Një vendim i tillë paragjykon, ende pa filluar gara zgjedhore, rezultatin e saj! Aq më tepër dhe sidomos sepse një afrim i tillë i datës, duke ju shmangur datës 22 korrik 2021, të parashikuar nga Statuti i Partisë Demokratike të Shqipërisë si data më e afërt për zhvillimin e zgjedhjeve, nuk bazohet në asnjë përcaktim statutor dhe/ose nevojë të qenësishme, të kushtëzuar nga gjendja dhe zhvillimet politike.

Përkundrazi, gjykojmë se mundësimi i shtyrjes së datës së zgjedhje dhe zhvillimit të fushatës zgjedhore për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë në një kohë politikisht më të përshtatshme, duke pasur parasysh zhvillimet, është në dobi jo vetëm të Partisë, por edhe të vendit dhe të kombit tonë.

Ne, pjesëtarët e grupit “Për PD”, në Partinë Demokratike të Shqipërisë, paraqesim këtë Kërkesë, të bindur dhe të përgjegjshëm se mundësimi dhe zhvillimi i një gare zgjedhore të ndershme dhe të besueshme për kryetarin e Partisë Demokratike i shërben, në rradhë të parë dhe sidomos, vetë Partisë, antarëve dhe mbështetësve të saj, por edhe Shqipërisë dhe kombit tonë.

Duke mbetur në pritje të përgjigjes, shprehim edhe një herë gjithë përkushtimin tonë për të marrë pjesë me përgjegjësi në reformimin e thellë dhe të domosdoshëm të Partisë Demokratike të Shqipërisë, për t’a ribërë atë mbartësen e shpresës së humbur të shqiptarëve, si në vitin 1990,   shprehësen politike dhe institucionale të vlerave më të mira që dallojnë një parti të qendrës së djathtë, si dhe vlerave të popullit dhe kombit shqiptar!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *