Duke studiuar shkëmbinjtë nënujorë koralesh në Porto Riko gjatë uraganit ‘Maria’ në 2017, studiuesit kanë zbuluar forca të fshehura më parë, të cilat rrisin në mënyrë dramatike forcën e uraganeve.
Ndërsa analizonin të dhënat me rezolucion të lartë nga instrumentet oqeanografikë nën sipërfaqe të pozicionuara përgjatë shkëmbinjve koralorë në jugperëndim të Porto Rikos, studiuesit nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA (USGS) mund të kenë gjetur pa dashje një metodë të re që mund të përmirësojë parashikimet përpara stuhive më shkatërruese në Tokë.
Sa për shembull, uragani ‘Maria’ vrau mbi 3,000 njerëz dhe shkaktoi rreth 90 miliardë dollarë dëm, kështu që ky lloj studimi është thelbësor për të shpëtuar jetë dhe komunitete të tëra.
Të udhëhequr nga oqeanografja e USGS, Olivia Cheriton, studiuesit zbuluan sesi rrymat nënujore të pa zbuluara bashkëveprojnë me gjeometrinë e gumës koralore për të mbingarkuar në mënyrë efektive sistemet e stuhisë si ai përgjegjës për uraganin e kategorisë pesë, ‘Maria’.
Uragani Maria fitoi deri në 65% më shumë energji si rezultat i këtyre ndërveprimeve midis rrymave nënujore të fshehura dhe vijave bregdetare të ishujve, të cilat forcuan dhe stabilizuan stuhinë.
“Ne u befasuam kur zbuluam se drejtimi i erërave të uraganit që po afroheshin në krahasim me vijën bregdetare e mbante shtresën sipërfaqësore të oqeanit dukshëm më të ngrohtë në krahasim me ujërat më të ftohtë poshtë.” – tha Cheriton.
“Kjo është e rëndësishme sepse temperaturat më të ngrohta të sipërfaqes së detit siguruan më shumë energji për stuhinë.” – shtoi ajo.
Temperaturat në sipërfaqen e detit (SST) janë një nga faktorët kryesorë që përcaktojnë fuqinë përfundimtare të një uragani, por ato janë kuptuar dobët. Bazuar në të dhënat e prodhuara nga rrjeti i tyre i instrumenteve nën det, studiuesit e USGS zbuluan se u deshën mbi 11 orë që ujërat bregdetare përreth Porto Rikos të ftoheshin pasi ‘Maria’ kishte kaluar.