Vendosni fjalën kyçe....

“Akti Normativ për rindërtimin pas tërmetit po kthehet në ligj korruptiv, pikat që cenohen” – Denoncimi


Akti Normativ 9/2019 i qeverisë shqiptare po kthehet në ligj korruptiv, ka ka denoncuar drejtoresha e Open Data Albania.

Aranita Brahaj shkruan se edhe pse nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 kanë kaluar 18 muaj, qeveria vijon të zgjedhë kontraktorë dhe furnitorë me procedurë të kufizuar, pa garë dhe me mundësi për pjesëmarrjen në tender vetëm 10 ditë.

Brahaj thekson se procedura e kufizuar me vetëm 10 ditë afat njoftimi dhe me paraqitje të dokumentacionit jo në mënyrë elektronike por dorazi pranë instiutucionit u vendos me Aktin Normativ 9/2019.

Ajo gjykon se kjo mënyrë është jo eificente dhe e rrezikshme duke qenë se mbart një sërë problematikash.

Drejtoresha e Open Data Albania vijon më tej duke përmendur se përdorimi i një procedure të tille favorizon procedura e afate klienteliste pa garë, nuk ofrojnë eficiencë buxhetore në ndërtim, nuk fiton oferta më e mirë, procedura nuk ka afate të arsyeshme dhe ajo bëhet jo elektronikisht por në kontakt me autoritetin kontraktor.

Brahaj sjell disa shembull për të ilustruar denoncimin e saj dhe u bën thirrje KLSH-së, partive, mediave e institucioneve të tjera që të monitorojnë e të ushtrojnë presion publik lidhur me programin e rindërtimit.

“Akti Normativ Nr. 9 /2019 po kthehet ne Ligj Korruptiv. Shikoni Kotraktimet Fondi i Rindërtimit

Kontraktime #Rindërtimi pas Tërmetit, Procedura e zgjedhur ka risk për #Klientelizëm,

Projekti Open Procurement Albania zbatuar nga AIS/Open Data Albania  , po monitoron të gjitha procedurat për kontraktim dhe prokurim Programi i Rindërtimit pas Tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Konstatohet se megjithëse kanë kaluar 18 muaj nga datë e Tërmetit të 26 Nëntor 2019, Qeveria vijon të zgjedhë kontraktor dhe furnitor me Procedurë të Kufizuar (pra pa garë) afat për shprehje Interesi vetëm 10 ditë. Kështu Qeveria vijon  të konsiderojë veten në një emergjencë #ekstreme dhe jo në një emergjencë të #modeuar, ku ka kohë dhe mundësi për Garë sipas afateve Ligjore (Legjislacion Prokurime).

Kjo procedurë E kufizuar për Programin e Rindërtimit (jo garë e hapur) me vetëm 10 ditë afat njoftimi për palët e interesuara, me paraqitje të drejtpërdrejtë edhe pranë institucionit dhe jo përmes sistemit elektronik, është vendosur për Prokurimet në emergjencë Post Tërmeti sipas Akt Normativ Nr 9 Datë 16.12.2019 Për Përballimin e Pasojave të Fatkeqësisë Natyrore. Akt Normativ me Fuqi Ligji.

Organizata jonë si pjesë e Shoqërisë Civile, gjykon se Ky Akt me fuqi Ligji, ishte i duhur për një situatë  të emergjencës afatshkurtër, të krijuar nga fatkeqësia natyrore Nëntor 2019. Tashmë 18 muaj pas Tërmetit rregullimi është i vjetruar, jo eficent, i rrezikshëm nëse vijon të aplikohet.

  • Aplikimi i një procedure të tillë vite pas Ngjarjes Fatkeqësi Natyrore po favorizon procedura dhe afate Klienteliste, me mungesë gare dhe konkurrence.
  • Këto procedura nuk ofrojnë eficensë buxhetore në tenderim;
  • Nuk konkurrohet elektronikisht me ofertë ku zgjidhet oferta më e mirë
  • procedura nuk ka afate të arsyeshme për njoftim dhe përgatitje
  • një pjesë e procedurës (faza e dytë e konkurrimit) bëhet në kontakt me autoritetin kontraktor dhe jo përmes sistemit.

Po ashtu gara bëhet për Vlera të Mëdha kontraktore, për disa objekte së bashku duke mos ndarë objektin sipas shkollave, zonave etj. kështu përjashtohen konkurrentët e mesëm apo të vegjël, dhe favorizohen konkurrentët e mëdhenj që kanë kontrata të mëparshme me vlera të larta, dhe aftësi pasguese të garancive me vlerë të lartë.

Si shembuj për ilustrim dy tenderët e Fundit:

  • Rikonstruksioni i Bashkisë së Vorës po bëhet me procedurë të kufizuar shpallur të premten data 22 Maj, afati për pjesëmarrje është vetëm 10 ditë. http://openprocurement.al/sq/tender/vieë/id/39746
  • Po njësoj është edhe Tenderi i shpallur sot Bashkia Tiranë me Fonde dhe Program Rikonstruksioni për Mobilim me Paisje dhe Orendi i Objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti Programi i Rindërtimit me vlerë 927 542 378 Lekë. Ku tenderi ka Procedurë të Kufizuar ( jo e hapur me konkurrim oferte), po bëhet për disa shkolla së bashku, duke krijuar hapësirë për pjesëmarrje vetëm të Furnitorëve të mëdhenj me kontrata të mëparshme të ngjashme, me afat aspak realist prej vetëm 10 ditësh. http://openprocurement.al/sq/tender/vieë/id/39768

Të tjera procedura Programi i Rindërtimit Bashki me të njëjtën Procedurë të kufizuar (pa garë) http://openprocurement.al/sq/tender/rindertimi

Të tjera procedura Programi i Rindërtimit Bashki me të njëjtën Procedurë të kufizuar (pa garë)

http://openprocurement.al/sq/albaniandf/rindertimi

AIS promotor i Open Procurement Albania, i bën thirrje Qeverisë Shqiptare të shfuqizojë pjesë të Aktit Normativ mbi mënyrën e Prokurimit për Programin e Rindërtimit, tashmë që nuk jemi më në emergjencë ekstreme por në emergjencë të moderuar vite pas ngjarjes Fatkeqësi Natyrore. Të aplikojë Legjislacionin e Rregullt për Prokruimet Publike ku edhe vetë procedura e Kufizuar ka rregullime më të sakta dhe transparente.

Gjithashtu u bëjmë thirrje Institucioneve të tjera monitoruese dhe audituese si  Kuvendi, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Partitë Politike, Media, Organizmat Ndërkombëtar, Organizatat Watch Dog, të jenë më aktive në monitorim, auditim, reagim dhe presion publik me qëllim zbatimin e Programit të Rindërtimit, me Eficensë dhe Menaxhim  pas Risk për Korrupsion, Klientelizëm e Abuzim edhe përmes forcës së Ligjit.” – shkruan Brahaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *