Kryedemokrati Basha tha sot nga Berati se priorioteti i tij kryesor në zgjedhjet e brendshme për kreun e partisë është që PD të dalë më e bashkuar e më fortë nga procesi.
Ai e bëri deklaratën gjatë një takimi në Qarkun e Beratit ku lëshoi akuza në drejtim të qeverisë për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Basha përsëriti se PD ka dalë më e fortë nga zgjedhjet e 25 prillit dhe se nuk do e ndalë luftën deri në rrëzimin e atij që e quajti regjimi i kryeministrit Rama.
“Barra e përgjegjësisë historike bie mbi ne. Asnjë pikë djersë nuk do shkojë kot. Jam këtu t’ju kërkoj të vijojmë së bashku këtë përballje. Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ndrequr e që duhet ndrequr. Prioriteti im i parë është që PD të jetë e bashkuar dhe e fortë. Nga ky proces i brendshëm të dalim të bashkuar e të fortë. PD është më e madhe se arritjet e gabimet e secilit prej nesh.
Më 25 prill nuk hymë në garë me një kundërshtar politik po me një regjim që i ka bërë bashkë partinë dhe shtetin siç u zbardh nga misioni i OSBE/ODIHR dhe ka perfeksionuar bashkëpunimin me krimin. Jemi bërë më të fortë dhe në sytë e tyre shumë më të rrezikshëm për t’iu afruar objektivit final që është rrëzimi i këtij regjimi. Atë që arritëm deri më 25 prill ta vijojmë së bashku rrugën që kemi nisur. S’ka buzëqeshje as festime, ka vetëm ftesa për bashkëpunim pa vija të kuqe. Hajduti e di krimin që ka bërë, po ne nuk ndalemi.” – tha ai.