Gjykata e Posaçme për Korrupsionin e Krimin e Organizuar ka urdhëruar nisjen e një procedimi penal ndaj anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Alban Toro.
Toro akuzohet për falsifikim dokumentesh ndërsa u padit në SPAK nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion.
Pas padisë, SPAK nuk nisi procedim penal ndaj tij por vendimi i SPA K u rrëzua nga Gjykata e Posaçme. Toro akuzohet se ka gënjyer Kuvendin për punën e tij si avokat dhe u zgjodh në KLGJ në kundërshtim me ligjin.
Sipas ligjit anëtari i KLGJ-së duhet të ketë 10 vite pune si avokat pa ndërprerje, kusht të cilin ai nuk e plotëson. Toro nga data 02 Mars 2010 deri në datën 20 shtator 2011 e ka pezulluar ushtrimin e aktivitetit si avokat për afro 1 vit e gjysmë.