Komisioni Hetimor ka miratuar në mënyrë unanime raportin për verifikimin e shkeljeve të Presidentit Ilir Meta.
Sikurse bëri me dije kreu i këtij Komisioni, Alket Hyseni, tanimë brenda 7 ditëve, ky raport do i dërgohet Parlamentit, që deputetë të shprehen me votë për shkarkimin apo jo nga detyra të kreut të shtetit.
Të hënën në Konferencën e Kryetarëve do të vendoset dhe data se kur do të votohet ky raport në Parlament.
“Kush është dakort me raportin, konkluzionet e tij dhe gjithë materialet bashkangjitur duke marrë parsysh sugjerimet e kolegëve?
Të gjithë dakort, Miratohet raporti i komisionit hetimor për verifikimin e të gjitha shkeljeve të rënda të presidentit Ilir Meta me vota unanime të gjithë anëtarëve.”- tha kryetari i komisionit hetimor, Alket Hyseni.
Kryetari i Komisionit Alket Hyseni teksa lexonte raportin përfundimtar tha se sjellja e presidentit duhet të jetë në unitet dhe ekuilibrues në jetën politike të vendit dhe kjo jo vetëm në respektimin e Kushtetutës por dhe të perceptohet nga populli si i tillë. Por sipas tij, Presidenti Meta bëri një fushatë kundër partisë në pushtet.
Lidhur me vendimin e sotëm, Hyseni tha se: “Kjo nuk është ditë krenarie për secilin nga ne por ditë e mirë për demokracinë, për shtetin e së drejtës se ne kemi ndjekur një proces të shëndoshjes së demokracisë, përtej asaj që do vendoset në seancë kjo është triumf i shoqërisë tonë demokratike, kushtetutës dhe mekanizmat të kontrollit ndaj zyrtarëve të cdo rangu për të cilët ka dyshime se mund të kenë abuzuar me ligjin e Kushtetutën”.