Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë në një intervistë për Euronews Albania u shpreh se ekspertët po përgatisin dosjen për t’u përballur me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
“Në këtë pikë, ajo që palët kanë rënë dakord është që grupet respektive në Shqipëri dhe Greqi, secili të punojë për dosjet e tyre dhe eventualisht të koordinojnë kur çështja të shkojë në Gjykatë. Pala shqiptare po punon për dosjen e saj, ekspertët më të mirë shqiptarë të hartografisë, ata ligjorë mbi të gjithë për precedentët ligjorë që duhen konsideruar, ata në Ministrinë e Jashtme, të Mbrojtjes, po mbledhin të gjithë informacionin për të ngritur atë kazusin tonë, që eventualisht do ta çojmë në Gjykatën e Hagës. Nuk ka një afat, jemi të dyja palët në fazën përgatitore për të mbudhur informacionin e domosdoshëm dhe do të koordinojmë çuarjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës”, tha ajo.
Pyetjes nëse mosmarrëveshjet mes Greqisë dhe Shqipërisë për detin do të marrin zgjidhje brenda mandatit të tretë të Partisë Socialiste, znj. Xhaçka dha këtë përgjigje:
“Nuk di ta them këtë, mbase do jetë më e gjatë se aq, nuk di afate që ka gjykata ndërkombëtare, nuk do tu them se kur do të mbaroj ky proces i mbledhjes së informacionit, por di t’u them se secili po punon për hesap të vet, për ta bërë të mundur secili dosjen e vet”- theksoi ministrja Xhaçka.