Nasa ka njoftuar se po dërgon dy misione të reja në Venus, në mënyrë që të studiojë atmosferën e planetit dhe tiparet gjeologjike.
Për këto dy misione janë vënë në dispozicion nga 500 milionë dollaë, dhe ato do të fillojnë në mes të viteve 2028 dhe 2030.
Administratori i Nasa-ës Bill Nelson tha se misionet do të ofronin “shansin për të hetuar një planet ku nuk kemi qenë në më shumë se 30 vjet”.
“Këto dy misione simotra synojnë të kuptojnë se si Venusi u bë një botë e ngjashme me ferrin, e aftë të shkrijë plumbin në sipërfaqe.”- tha Nelson, citon BBC.
Venusi apo siç njihet ndryshe edhe si Afërdita, është planeti i dytë më afër diellit dhe planeti më i nxehtë në sistemin diellor me një temperaturë prej 500C, mjaft e lartë për të shkrirë plumbin.
Misionit të parë i është vendosur emri “Davinci +”, ndërsa misioni i dytë do të mbajë emrin “Veritas”.
Misioni i parë do të masë atmosferën e planetit për të marrë njohuri se si u formua dhe evoluua. Gjithashtu do të synojë të përcaktojë nëse Venusi ka pasur ndonjëherë një oqean.
Davinci + pritet të rikthejë imazhet e para me rezolucion të lartë të tipareve gjeologjike “tesserae” të planetit. Shkencëtarët besojnë se këto tipare mund të jenë të krahasueshme me kontinentet në Tokë dhe mund të sugjerojnë që Venusi ka pllaka tektonike.
Misioni i dytë, Veritas do të hartojë sipërfaqen e planetit për të kuptuar historinë e tij gjeologjike dhe për të hetuar se si u zhvillua kaq ndryshe nga Toka.
Do të përdorë një formë radari për të përshkruar lartësitë sipërfaqësore dhe për të zbuluar nëse vullkanet dhe tërmetet po ndodhin akoma atje.
“Është befasuese se sa pak dimë për Venusin, por rezultatet e kombinuara të këtyre misioneve do të na tregojnë për planetin nga retë në qiell tek vullkanet në sipërfaqe e deri në bërthamën e tij.”- tha Tom Wagner nga Divizioni i Shkencave Planetare të Nasa-s.
Ai shtoi se do të jetë “sikur të kemi rizbuluar planetin”.