Vendosni fjalën kyçe....

I hapet rrugë projektit të Emaar në Portin e Durrësit, Qeveria miraton VKM-n që zgjeron Porto Romanon


Qeveria miratoi një vendim në mbledhjen e djeshme që i hap rrugë zbatimit të projektit të kompanisë Emaar nga Emiratet Arabe për ndërtimin e një porti jahtesh dhe ndërtesa luksoze në portin e Durrësit, duke i dhënë territore të reja Portit të Porto- Romanos, që do të mundësojnë zhvendosjen e shërbimeve që sot kryhen nga Porti aktual i Durrësit në Porto Romano.

Sipas vendimit të djeshëm koordinatat e Portit Aktual në Porto Romano janë shtuar. Zgjerimi i koordinatave krijon mundësinë që në port do të ndërtohen disa kalata të tjera që do të shërbejnë për përpunimin e anijeve të mallrave, krahas atij të karburanteve që kryhet aktualisht.

Ndërkohë po kryen edhe investime në rrugën që lidh Porto -Romanon me Durrësin me një autostradë të kategorisë A.

Më herët në kulmin e karantinës, në datën 31 mars 2020 Porti MBP (Multi Buoy Mooring) në administrimin e “Kastrati Group” që realizon shërbimet e përpunimit të ngarkesave dhe depozitimit të naftës në Porto Romano mori miratimin për një shtesë kontrate nga Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë.

Projekti i Portit të Durrësit dhe zhvendosja në Porto Romano

Kompania EMAAR e Emirateve Arabe propozoi në nëntor të vitit të kaluar një projekt për të zhvilluar Portin e Durrësit në shërbime të dedikuara për turizmin dhe zhvillimin e “Real Estate” në nivel luksi, me vlerë 2 miliardë dollarë. Por sfida më e madhe, që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë shqiptare lidhet me transferimin e përpunimit të mallrave nga Durrësi në Porto Romano.

Përpunimi i pasagjerëve do të mbetet në Portin e Durrësit, ndërsa përpunimi i mallrave do të bëhet në Porto Romano.

Mirëpo ekspertët të fushës pohojnë se zhvendosja e e shërbimit të përpunimit të mallrave në Porto Romano do të jetë një sfidë. Aktualisht, gjiri i Porto Romanos lidhet me rrjetin kombëtar me rrugë automobilistike, e cila ende nuk ka përfunduar totalisht. Zona, e cila synohet të akomodojë portin më të madh në vend për mallrat, nuk ka linjë hekurudhore, si në Portin e Durrësit. Gjithashtu distanca më rrjetin kombëtar është më e largët dhe mungojnë disa elemente logjistike themelore.

Infrastruktura në Portin e Durrësit është ngritur ndër vite nëpërmjet studimeve dhe investimeve të shumta. Ndërsa në Porto Romano mungon. inxhinierët e Portit të Durrësit i pohuan Monitor pak kohë më parë se, transferimi nuk mund të bëhet me urdhra të momentit, porse duhen studime të detajuara dhe shumë investime që kërkojnë kohë.

Transferimi me shpejtësi i shërbimit të Kargos në Porto Romano rrezikon ta bëjë Shqipërinë jokonkurruese me rajonin. Kosova që tashmë është përdoruesi kryesor në rajon i Portit të Durrësit me ndërtimin e Autostradës së re me Maqedoninë arrin më shpejt në Portin e Selanikut.

Përpjekjet për të transferuar shërbimin e kargos nga Porti i Durrësit kanë dështuar më herët. Studimet që nga viti 2000 kanë vërtetuar se, zgjerimi i Portit të Durrësit për të përpunuar më shumë mallra në perspektivë është i pamundur për shkak të mungesës së hapësirave. Porti, brenda në qytet, është i rrethuar me ndërtime dhe për më tepër deti është shumë i cekët që nuk siguron ankorimin e anijeve me tonazh të lartë.

Për rrjedhojë, transferimi i shërbimeve të kargos u synua edhe nga qeveria e zotit Berisha. Në vitin 2011, Agjencia Shqiptare e investimeve ftoi investitorët të shndërronin Porto Romanon në një port për përpunimin e mallrave së bashku me zhvillimin e zonës ekonomike të Spitallës kundrejt një investimi prej 800 milionë eurosh. Por kriza globale e pas vitit 2008 pengoi interesin e investitorëve potencialë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *