Vendosni fjalën kyçe....

OBSH nuk e përjashton ende teorinë se Covidi ka dalë nga laboratori: Kina të ndihmojë në zbulimin e origjinës në respekt të të vdekurve


Kreu i OBSH-së këmbënguli mbrëmjen e kaluar se teoria se Covid-19 doli nga një laborator i qytetit të Wuhanit në Kinë nuk është përjashtuar. Ai tha se Kina duhet të ndihmojë në zgjidhjen e misterit nga “respekti” për të vdekurit.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus sugjeroi që Pekini nuk kishte bashkëpunuar plotësisht ndërsa kërkoi më shumë “transparencë” në hetimin e vazhdueshëm.

Ka pasur shumë polemika rreth asaj se si virusi u shfaq për herë të parë – qoftë përmes kontaktit të kafshëve në një treg në Wuhan, apo se kishte dalë nga një laborator kërkimi shumë i sigurt në të njëjtin qytet siç sugjerojnë disa.

Kina thotë se nuk është përgjegjëse për pandeminë dhe ka hedhur poshtë teoritë e konspiracionit në lidhje me sëmundjen se është krijuar nga njeriu.

Sidoqoftë, muajin e kaluar presidenti i SHBA-ve Joe Biden urdhëroi agjensitë e inteligjencës amerikane të raportojnë në tre muajt e ardhshëm nëse virusi që shkakton Covid-19 u shfaq për herë të parë në Kinë nga një kafshë apo nga një aksident laboratorik.

I pyetur nëse mundësia e një rrjedhje laboratori ishte ende në tryezë, Tedros tha në një konferencë të takimit të G7 se aktualisht “çdo hipotezë duhet të jetë e hapur”.

Ai tha se të paktën 174 milion njerëz u konfirmuan se kishin marrë sëmundjen deri më tani dhe 3.75 milionë kishin vdekur.

“Unë mendoj se respekti që meritojnë këta njerëz është të dinë se cila është origjina e këtij virusi në mënyrë që ne të parandalojmë që kjo të ndodhë përsëri.”- shtoi ai, citon Daily Mail.

Tedros sugjeroi se nuk kishte pasur ‘transparencë dhe bashkëpunim‘ të mjaftueshëm nga Kina në fazat fillestare të hetimit.

“Na duhet bashkëpunim nga pala kineze. Ne kemi nevojë për transparencë për të kuptuar dhe njohur ose për të gjetur origjinën e këtij virusi.”-vijoi më tej kreu i OBSH-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *