Vendosni fjalën kyçe....

OKB-ja miraton rezolutën, të mos i shiten armë Birmanisë


Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje të rrallë për t’i ndërprerë shitjet e armëve për Birmaninë si reagim ndaj puçit të dhunshëm ushtarak që ndodhi në fillim të vitit atje.

Asambleja e Përgjithshme e miratoi rezolutën me të cilën e dënon qeverinë ushtarake, e cila në shkurt të këtij viti e rrëzoi nga pushteti qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, shkruan BBC.

OKB-ja gjithashtu bëri thirrje për lirimin e të burgosurve politikë, përfshirë ish-shefen e qeverisë demokratike, Aung San Suu Kyi, dhe përfundimin e dhunës kundër protestuesve paqësorë. Ndonëse nuk është e obligueshme ligjërisht, rezoluta ka peshë të konsiderueshme politike.

“Rreziku për një luftë civile të shkallës së gjerë është i vërtetë. Mundësia për ta kthyer mbrapsht marrjen ushtarake të pushtetit po ngushtohet”, deklaroi e dërguara e posaçme e Kombeve të Bashkuara për Birmaninë, Christine Schraner Burgener.

Rezoluta kundër pushtetit ushtarak në shtetin e Azisë Juglindore u përkrah nga 119 shtete anëtare. Vetëm Bjellorusia votoi kundër, ndërsa 36 vende tjera abstenuan, përfshirë Rusinë dhe Kinën, që janë dy furnizueset më të mëdha me armë për Birmaninë.

Disa nga shtetet që abstenuan thanë se kriza në Birmani është çështje e brendshme, ndërsa disa të tjera u ankuan se kjo rezolutë nuk e adreson shtypjen brutale ushtarake të komunitetit mysliman, Rohingya, që ndodhi katër vite më parë e që detyroi gati 1 milion njerëz të iknin nga vendi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *