Vendosni fjalën kyçe....

OBSH: Vaksinat po mbarojnë në kombet më të varfra


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se një numër i madh i vendeve më të varfëra që i marrin vaksinat kundër Covid-19 përmes një skeme globale të shpërndarjes së tyre, nuk kanë doza të mjaftueshme për të vazhduar programet e vaksinimit.

Këshilltari i lartë i OBSH-së Bruce Aylward tha se programi Covax kishte shpërndarë 90 milion doza në 131 vende. Por ai tha se ato nuk ishin mjaftueshëm sa të mbrojnë popullatat nga virusi.

Mungesat vijnë pasi disa kombe në Afrikë shohin një valë të tretë të infeksioneve.

Të hënën, Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa bëri thirrje për t’i dhënë fund grumbullimit të vaksinave nga vendet më të pasura, ndërsa qeveria e tij po përpiqej të frenonte një rritje të madhe të rasteve.

“Në një nivel kontinental, vetëm 40 milionë doza janë administruar deri më tani në Afrikë – më pak se 2% e popullsisë.”- tha Ramaphosa, citon BBC.

Për të adresuar këtë, ai tha se qeveria e tij ishte duke punuar me Covax-in për të krijuar një qendër rajonale për të prodhuar më shumë vaksina në Afrikën e Jugut.

Programi Covax u krijua vitin e kaluar për të siguruar që dozat e vaksinës kundër Covid-19 të viheshin në dispozicion në të gjithë botën, me vendet më të pasura që subvencionojnë kostot për kombet më të varfra.

Sidoqoftë, shpërndarja e këtyre vaksinave është penguar nga vonesat në prodhim dhe ndërprerjet e furnizimit, duke çuar në mungesa në vendet që varen plotësisht nga Covax.

Uganda, Zimbabve, Bangladeshi dhe Trinidad dhe Tobago janë vetëm disa nga vendet që kanë raportuar se u kanë mbaruar vaksinat në ditët e fundit.

Në një konferencë të OBSH-së në Gjenevë, Bruce Aylward pranoi se nga 80 vendet me të ardhura të ulëta të përfshira në programin Covax, “të paktën gjysma e tyre nuk kanë vaksina të mjaftueshme për të qenë në gjendje të mbajnë programet e tyre tani”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *