Vendosni fjalën kyçe....

Bursa e Energjisë, rihapet për së dyti tenderi për platformën elektronike të tregtimit


Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ka rihapur nga e para tenderin me objekt “Platfoma Elektronike e Tregtimit për Tregun e Ditës në Avancë dhe atë Brenda së njëjtës Ditë, Infrastruktura dhe Shërbimet e Kërkuara për Operimin e Tregut të Organizuar në Shqipëri dhe Kosovë”.

Kjo procedurë u shpall fillimisht në mars të këtij viti por më pas u anulua për shkak se asnjë nga ofertat e paraqitura nga ana e subjekteve të interesuara nuk përputhej me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.

Në dispozicion edhe këtë herë është vënë një fond limit 225 milionë lekë apo rreth për platformën 1.8 milionë euro. Më herët u lajmërua se ndoshta bursa do të niste aktivitetin në tremujorin e tretë të vitit por vonesa për përzgjedhjen e platformës duket se do të vështirësojë kapjen e këtij afati.

Kushtet edhe në këtë tender të dytë kanë mbetur të njëjta dhe po kështu edhe sqarimet e Bursës në specifikimet teknike.

“Ofruesit e Shërbimit duhet që shërbimet e tyre ndaj ALPEX ti bazojnë në përdorimin e sistemit të ankandit të tregtimit për ditën në avancë dhe algoritmin e përputhjes korresponduese bazuar në një konfigurim të pajtueshëm të SDAC, pajtueshmëri me sistemin e tregtimit të vazhdueshëm brenda të njëjtës ditë SIDC/XBID dhe algoritmin e përputhjes korresponduese, një sistem të rakordimit dhe likuidimit financiar, si dhe në një mjet të teknogjisë së informacionit në lidhje me menaxhimin e riskut për rakordimin dhe likuidimin financiar, si dhe gjithashtu ofrimin e mbështetjes në lidhje me të dhënat e ndërfaqeve të kërkuara me TSO-të për të patur një zhvillim normal të operacioneve ditore të tregut të organizuar të ALPEX” thuhet në dokumentet e tenderit.

Me qëllim plotësimin e objektivit të Bursës në dokumente specifikohet se, oferta duhet të përfshijë çmimin përmbledhës për sistemet e tregtimit të përmendura më poshtë, sistemin e rakordimit financiar dhe sistemet mbështetëse:

a) Sistemi i ankandit të tregtimit për ditën në avancë dhe algoritmin e përputhjes korresponduese;

b) Sistemi i tregtimit të vazhdueshëm brenda të njëjtës ditë dhe algoritmin e përputhjes korresponduese;

c) Sistemi i rakordimit dhe likuidimit financiar;

d)Sistemi i menaxhimit të riskut; e) Ndërfaqja me TSO-të në lidhje me nominimet

ALPEX do të jetë pala qendrore për ofruesit dhe blerësit e energjisë në treg, duke kryer dhe funksionin e rakordim-faturimit dhe likuidimit financiar (clearing house) të të gjitha detyrimeve që do lindin nga ankandet e bursës së energjisë.

Në rastin e Shqipërisë, një ndër mekanizmat financiarë që do të nxisë tregtimin në bursë, i përcaktuar qartë në modelin e tregut, është Kontrata për Diferencë (CfD), që do të përdoret si një masë e përkohshme, e cila do të lejojë lëvizjen e vëllimeve nga marrëveshjet dypalëshe kontraktuale në ALPEX, të cilat më tej do të jenë pjesë e tregut.

Aksionerët e ALPEX janë Operatorët e Sistemeve të Transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët më 5 tetor 2020 nënshkruar edhe një marrëveshje./ N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *