Shqipëria është vendi me koston më të lartë të komunikimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Të dhënat krahasuese nga Eurostat tregojnë se indeksi i çmimeve për shërbimet e komunikimit në Shqipëri është 108.4 ose 8.4% më i lartë krahasuar me mesataren e Bashkimin Europian.
Vendet e tjera të rajonit e kanë këtë tregues poshtë nivelit 100, që përfaqëson mesataren e BE-së. Maqedonia e Veriut ka vlerën më të ulët të indeksit, me 69.6, e ndjekur nga Serbia me 73.5, Bosnje Hercegovina, me 94.3 dhe Mali i Zi me 94.7. Eurostat nuk publikon të dhëna për Kosovën.
Edhe treguesit e publikuar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se në vitet e fundit ka një tendencë të rritjes së kostove për përdoruesit në segmentin më të rëndësishëm të tregut, atë të komunikimeve celulare. Treguesit kryesorë janë e ardhura mesatare për minutë dhe e ardhura mesatare për përdorues e operatorëve celularë. Shifrat e vitit 2020 për këta tregues nuk janë publikuar nga AKEP, por të dhënat deri në vitin 2019 tregojnë një tendencë të qartë në rritje.
Treguesi ARPM (e ardhura mesatare për minutë) për vitin 2019 arriti në 3.33 lekë, në rritje për të katërtin vit radhazi. Krahasuar me një vit më parë, ky tregues u rrit me rreth 15%. ARPM del si raport mes të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse nga rrjetet celulare. Ky tregues është çmimi mesatar që paguan një përdorues për një minutë kohë bisede. Deri në vitin 2015, ARPM kishte ardhur në rënie të vazhdueshme, si rezultat edhe i konkurrencës në rritje në tregun e shërbimeve celulare. Por, pas vitit 2016 ky tregues nisi të rritej, si rezultat i nevojës së operatorëve celularë për të përmirësuar bazën e të ardhurave dhe për të mbështetur investimet e nevojshme në rrjete dhe teknologji. Rritja e shpenzimeve mund të jetë ndikuar edhe një konkurrencë më e ulët, paas daljes nga tregu, në vitin 2017, të operatorit të katërt, Plus Communication. Treguesi ARPM është një mënyrë alternative për të vlerësuar ecurinë e çmimeve në shërbimet celulare në Shqipëri, kryesisht sepse komunikimi nuk bëhet me tarifa standarde, por nëpërmjet paketave ofertë, në të cilat është e vëshitrë të përcaktohet një çmim i saktë për çdo njësi komunikimi.
Shtrenjtimi i çmimit mesatar për minutë është reflektuar edhe në rritjen e shpenzimeve mesatare vjetore për përdorues. Treguesi i ARPU (e ardhura mesatare për përdorues), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë, për vitin 2019 arriti në 7024 lekë, në rritje me 8.3% krahasuar me një vit më parë. Edhe ky tregues është në rritje për të tretin vit radhazi.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al