Ministri i Shëndetësisë në Britani, Matt Hancock ka dhënë dorëheqjen.
Hancock u kap në pamjet e CCTV këtë javë duke puthur një ndihmëse, në shkelje të udhëzimeve të tij për distancimin shoqëror dhe zotimet e tij martesore.
Hancock njoftoi dorëheqjen të shtunën, duke kërkuar përsëri falje për thyerjen e rregullave të distancimit shoqëror dhe familjes së tij.
“Ne ua kemi borxh njerëzve që kanë sakrifikuar kaq shumë në këtë pandemi që të jemi të sinqertë kur i kemi zhgënjyer siç kam bërë unë duke shkelur udhëzimin.” – thuhet në deklaratën e Hancock.
Një ditë më parë, The Sun publikoi pamjet ee kamerave CCTV, ku shihej Hancock duke përqafuar dhe puthur ndihmësen Gina Coladangelo, një lobiste e martuar të cilën ai e kishte futur në listëpagesën e ministrisë vitin e kaluar.
Hancock kërkoi falje të premten për thyerjen e udhëzimeve të distancës sociale lidhur me pandeminë Covid-19 dhe tha se ndihej shumë keq që kishte zhgënjyer qtetarët dhe familjen e tij. Kryeministri Boris Johnson pranoi faljen e Hancock, duke deklaruar se ‘çështja ishte e mbyllur’.
Sidoqoftë, thirrjet për shkarkimin e tij u përhapën në media dhe në internet, veçanërisht duke pasur parasysh faktin që Hancock mbështeti dorëheqjen vitin e kaluar të Profesor Neil Ferguson, epidemiolog dhe këshilltar i qeverisë, i cili u kap duke thyer karantinën për t’u takuar me të dashurën e tij të martuar.
Hancock është i martuar me tre fëmijë dhe shkroi në letrën e tij të dorëheqjes se ai ka nevojë ‘që të jetë me fëmijët në këtë kohë’.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani