Rritet në pesë bilanci i të vdekurve nga shembja e ndërtesës në një bllok apartamentesh në Florida.
Kryebashkiakja Daniella Levine Cava tha se numri i personave të humbur tani ka rënë në 156, pasi tre trupa të tjerë janë identifikuar.
“Prioriteti ynë kryesor vazhdon të jetë kërkimi dhe shpëtimi i çdo jete që mundemi.”- u tha ajo gazetarëve, citon BBC.
Kujtojmë se një pjesë e ndërtesës në Miami u shemb herët në mëngjes të enjten, ndërsa shumë banorë flinin.
Shkaku i shembjes së godinës mbetet ende i paqartë.
Mirëpo raporti i një inxhinieri nga viti 2018 i cili u bë publik ditën e shtunë, thoshte se godina kishte pësuar dëme të rënda strukturore.
Presidenti amerikan Joe Biden shkroi në “Twitter” se ai i kishte ofruar “ndihmë sipas nevojës” guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë përdorur makina, dronë dhe qen të stërvitur posaçërisht në përpjekjet e tyre për të gjetur të mbijetuarit. Përpjekjet e shpëtimit u penguan për pak kohë të shtunën pasi një zjarr shpërtheu nën rrënoja.