Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria e rriti sërish sot, Shqipëria me borxhin e jashtëm më të lartë mes vendeve të rajonit (Krahasimi me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut e Kosovën)


Qeveria shqiptare ka vendosur të zgjerojë deficitin buxhetor të vitit 2021 në 7,1% të PBB-së në rreth 1 miliard euro duke shkelur rregullat fiskale dhe Ligjin Organik të Buxhetit.

Ndërkohë borxhi i jashtëm i Shqipërisë ka shkuar në 8.8 miliardë euro nga 8.5 miliardë euro që ishte në fund të dhjetorit 2020 duke u shtuar me rreth 297 milionë euro.

Me vendimin e marrë sot, qeveria e kryeministrit Rama ka vendosur ta çojë borxhin e jashtëm këtë vit në 82.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nëpërmjet një akti normativ që është depozituar në Kuvend, i cili rrit deficitin buxhetor në nivelin 120.5 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro) nga 108 miliardë lekë që ishte planifikuar në fillim të vitit.

Rritja e borxhit vjen në një kohë kur FMN-ja ka rekomanduar që Tirana zyrtare ta ulë deficitin buxhetor në nivelin e 65 miliardë lekëve ose rreth 500 milionë euro.

Po si qëndron borxhi i jashtëm në disa prej vendeve të rajonit krahasuar me Shqipërinë.

Pak ditë më parë, Mali i Zi e uli borxhin e jashtëm në 3.643 miliardë euro në fund të marsit 2021 nga 3.835 miliardë euro që ishte në fund të dhjetorit 2020. Megjithatë një borxh i ri për ë financuiar borxhin prej 1 miliard dollaresh që vendi ballkanik i ka Kinës, mund ta rrisë sërish borxhin e jashtëm të vendit.

Borxhi i qeverisë qendrore të Malit të Zi ishte i barasvlershëm me 77% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të vlerësuar për vitin 2021, krahasuar me 82.48% të PBB-së në fund të dhjetorit 2020, tregojnë shifrat e botuara nga Ministria e Financave. Ndërsa borxhi i brendshëm u ul në 454.8 milionë euro nga 495.6 milionë euro.

Kreditori më i madh i qeverisë malazeze në fund të marsit ishte Banka Eksport-Import e Kinës (EXIM Bank) me 681.3 milion euro, e ndjekur nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) me 186.1 milionë euro.

Mali i Zi llogarit rreth 1 miliard euro borxh ndaj Kinës dhe një institucion financiar evropian pritet të ndihmojë në rifinancimin e borxhit të Malit të Zi pas kërkesës së këtij të fundit.

Maqedonia e Veriut nga ana e saj i ka të dhënat e përditësuara për tremujorin e fundit të vitit 2020.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave nga vendi fqinj, borxhi i jashtëm pësoi një ulje të lehtë ë tremujorin e fundit të vitit 2020 krahasuar me tremujorin e dytë e të tretë të vitit 2020 megjithatë ka ardhur në rritje nga viti 2008, kur ka qenë pika më e ulët e borxhit. Borxhi i Maqedonisë së Veriut në tremujorin e fundit të vitit 2020 ka qenë 6.483 milionë euro ose 59.9% e PBB-së.

Kosova e ka borxhin e jashtëm publik 2.513 miliardë euro. Edhe borxhi i Kosovës ka ardhur në rritje nga viti në vit, teksa në vitin 2019, Prishtina e kishte borxhin e jashtëm në masën 2.2 miliardë euro ndërsa një vit më parë në 2.035 miliardë euro ose rreth 22% e PBB-së.

Nga të dhënat e mësipërme, Shqipëria është vendi me borxhi më të lartë mes atër vendeve të rajonit të marra në krahasim dhe me vendimin e sotëm, në shkelje të rregullave fiskale e Ligjit Organik të Buxheti, shifrat janë rritur edhe më tej. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *