Vendosni fjalën kyçe....

Kurti komenton studimin e SHBA-ve për Ujmanin: Liqenin e kemi paguar dekada më parë, është i Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është detyrë e institucioneve që Liqenin e Ujmanit ta konsiderojnë si “liqen artificial të Kosovës”.

“Qëndrimet tona në lidhje me Ujmanin janë të njëjta”, tha Kurti në një konferencë për media të mërkurën (30 qershor) pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar javën e kaluar, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Ky studim shënon përmbushjen e një prej angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020.

Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër, që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqen artificial, i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se mund të prodhohen analiza e studime por është “detyrë e jona që ta konsiderojmë Liqenin e Ujmanit, ashtu siç është, liqe artificial i Kosovës”.

“Atë (Liqenin) e kemi paguar edhe kryer shumë dekada më parë”, tha Kurti.

Liqeni u ndërtua në vitin 1972, me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë, që ishte marrë nga Banka Botërore, marrëveshje kjo e ratifikuar atëherë nga Kuvendi i Krahinor i Kosovës dhe Kuvendi Federativ i Jugosllavisë.