Vendosni fjalën kyçe....

2019-2020, bizneset shqiptare bëjnë hapa pas në drejtim të inovacionit


Përgjatë dy viteve të fundit 2019-2020 numri i ndërmarrjeve që kryen një aktivitet inovacioni ra me 1.7 pikë përqindje në raport me 2017 -2018, sipas një vrojtimi të INSTAT që u publikua sot.

Ndërmarrje inovative quhet ajo ndërmarrje që gjatë periudhës referuese prezantoi një inovacion produkti/procesi biznesi, ose kishte aktivitete të braktisura apo të papërfunduara inovacioni. Gjatë periudhës 2018-2020, 36,6% e ndërmarrjeve të vrojtuara kryen një aktivitet inovacioni, ndërsa gjatë periudhës 2017 – 2019, e kryen këtë aktivitet 38,3%.

Aktiviteti i inovacionit rezulton më i lartë në ndërmarrjet që operojnë në sektorin e shërbimeve me 42,2%, krahasuar me ndërmarrjet në sektorin e industrisë me 34%.

Grupi i ndërmarrjeve të mëdha me mbi 250 të punësuar rezultuan më aktive në inovacion me 67,9%.

Rënia në aktivitet e inovacionit u pasqyrua kryesisht në ndërmarrjet e sektorit të industrisë dhe në atë të shërbimeve me përkatësisht 2,0% dhe 1,3%.

Përqindja më e lartë e ndërmarrjeve që zhvilluan inovacione produktesh, inovacione procesesh dhe inovacione produktesh dhe procesesh së bashku, rezultuan në sektorin e Shërbimeve.

Në vitin 2020, shitjet neto të realizuara nga ndërmarrjet aktive në inovacion përbënë 55,9% të shitjeve neto gjithsej të ndërmarrjeve të vrojtuara ndërsa numri i të punësuarve në këto ndërmarrje rezultoi 51,9% .

Gjatë periudhës 2018-2020, 23,6% e të gjitha ndërmarrjeve të vrojtuara zhvilluan inovacione të produkteve (mallra ose shërbime të reja ose të përmirësuara), ndërsa 31,6% zhvilluan procese biznesi të reja ose të përmirësuara.

Nga ndërmarrjet me inovacione të produkteve, 37,2% e tyre zhvilluan mallra të reja ose të përmirësuara dhe 31,4% e ndërmarrjeve zhvilluan shërbime të reja ose të përmirësuara. Ndërsa ndërmarrjet që zhvilluan së bashku mallra dhe shërbime të reja ose të përmirësuara rezultuan 31,4%.

Gjatë periudhës 2018-2020, 42,0% e ndërmarrjeve me inovacione produktesh prezantuan mallra ose shërbime që ishin të reja jo vetëm për ndërmarrjen, por edhe për tregun (jo të ofruara më parë nga konkurrentët e tyre).

Për të kryer aktivitetin e tyre të inovacionit, 25,9% e ndërmarrjeve aktive në inovacion ishin të përfshirë në bashkëpunim me ndërmarrje të tjera, organizata shkencore dhe partnerë të tjerë. Për ndërmarrjet me mbi 250 të punësuar, kjo përqindje rezultoi 38,1%.

Gjatë periudhës 2018-2020, 13,1% e ndërmarrjeve të vrojtuara kanë blerë makineri, pajisje ose mjete programuese të bazuar në teknologji të re që nuk ishte përdorur më parë nga këto ndërmarrje. Gjatë periudhës 2018-2020, 3,6% e ndërmarrjeve aktive në inovacion morën mbështetje financiare nga autoritetet publike, ndërsa 1,6% ndërmarrjeve që nuk kryen ndonjë inovacion morën mbështetje financiare publike.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al