Vendosni fjalën kyçe....

Përshtatën magazinën për kanabis, arrestohet një person në Korçë e shpallet në kërkim një tjetër


Një person është vënë në pranga në Korçë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Personat në fjalë akuzohen se kishin përshtatur magazinën për kultivim kanabisi e për këtë vidhnin energjinë elektrike. Në pranga ka rënë 69-vjeçari me iniciale R.N.

Në kërkim është shpallur 35-vjeçari me iniciale V.Sh, i cili në çastin kur policia ka shkuar për të kontrolluar magazinën i ka vënë flakën asaj.

Ndërsa përgjegjësi i OSHEE-së, 58-vjeçari me iniciale R.R., është proceduar penalisht për ‘shpërdorim detyre’.

Njoftimi

“Kishin përshtatur magazinën për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet llambave, duke vjedhur energjinë elektrike, vihet në pranga pronari i magazinës dhe shpallet në kërkim përdoruesi i saj, i cili në momentin që Policia shkoi për kontroll i vuri zjarrin ambienteve të brendshme.

Procedohet penalisht edhe përgjegjësi i OSHEE-së, për shpërdorim detyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. N., 69 vjeç, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike” kryer në bashkëpunim, shpallën në kërkim shtetasin V. Xh., 35 vjeç, për veprat penale “Vjedhja e energjisë elektrike” kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe filluan procedimin penal për “Shpërdorim detyre” ndaj shtetasit R. R., 58 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës pranë OSHEE Korçë).

Shtetasi V. Xh., kur ka konstatuar në afërsi të magazinës në pronësi të shtetasit R. N. dhe në përdorim nga ana e tij, shërbimet e Policisë që kishin shkuar për të ushtruar kontroll pas informacioneve të grumbulluara se kjo magazinë mund të ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike dhe për t`i marrë deklaratë këtij shtetasi në lidhje me një ngjarje tjetër, 35-vjeçari i ka vënë zjarrin ambienteve të brendshme të saj, me qëllim që të eliminonte provat materiale dhe është larguar nga vendngjarja, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar.

Gjatë kontrollit të ushtruar në magazinë, forcat e Policisë konstatuan vjedhje të energjisë elektrike dhe gjetën të montuara disa pajisje elektrike dhe hidraulike që dyshohet se mund të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga këto struktura u procedua penalisht edhe shtetasi R. R., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së, i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos ushtruar kontroll në këtë magazinë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.”