Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar përmes një postimi për operacionin anti-drogë ”Shpirti” të shtrirë në katër shtete, ku u arrestuan dhjetëra persona mes të cilëve dhe zyrtarë të lartë si prokurori Maksim Sota, zyrtarë policie dhe dy shoqërues të ish-ministrit Saimir Tahiri.
Çuçi thotë se në këtë aspekt ky operacion shërbeu edhe si një vetë-pastrim nga ata që nuk meritojnë të jenë në radhët e agjencive ligjzbatuese.
“Policia e Shtetit ishte pjesë e një tjetër OPERACIONI NDËRKOMBËTAR për goditjen me ashpërsi të elementëve kriminalë të implikuar në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, të dyshuar për korrupsion e pastrim parash, mes tyre edhe zyrtarë të agjencive ligjzbatuese. Ky është edhe një proces vetë-pastrimi, nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët këtyre agjencive, e do të përgjigjen para ligjit.
Hetimi i mirë-koordinuar me autoritetet italiane dëshmon kapacitetet në rritje të SPAK dhe Policisë së Shtetit, që janë sot partnerë dinjitozë në luftën kundër krimit të organizuar, që nuk njeh kufij. Aksioni, shembull i ruajtjes së konfidencialitetit, megjithë kompleksitetin e tij.”- shkruan Çuçi.
Ministri i Brenshëm shpreh vlerësimin për punën e kryer nga prokurorët dhe Policia për këtë hetim, ndërsa paralajmëron se në luftën ndaj paligjshmërisë do të ketë të tjera rezultate.
“Pasuri të dyshuara me burim aktivitetin kriminal janë sekuestruar gjatë këtij operacioni, për të goditur financat e grupeve kriminale dhe kthyer këto pasuri, në të mira publike për qytetarët tanë.
Një vlerësim i posaçëm për prokurorët e angazhuar drejtpërdrejtë në hetim dhe gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të agjencive që ndihmuan në këtë hetim, drejtuesve të operacionit, si dhe një falënderim për partnerët e huaj, për bashkëpunimin. Të tjera rezultate domethënëse do të ketë në luftën me paligjshmërinë!”- shkruan ministri.