Aleksandër Lukashenko, Presidenti i Bjellorusisë, tha se ka urdhëruar mbylljen e plotë të kufirit me Ukrainën, me pretendimet se nga vendi fqinj po hyn një sasi e madhe armësh.
Njoftimi u bë përmes medias shtetërore, më 2 korrik. Lukashenko nuk i vërtetoi me asnjë fakt pretendimet e tij.
Regjimi i tij po përballet me presion ndërkombëtar për shtypjen e opozitës dhe protestuesve, pas rezultateve të kundërshtuara të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në gusht të vitit 2020.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera kanë vendosur sanksione ndaj entiteteve bjelloruse dhe rrethit të ngushtë të Lukashenkas për dhunën ndaj aktivistëve pro-demokracisë dhe politikanëve të opozitës.
Rezultatet e zgjedhjeve e nxorën fitues Lukashenkan, por opozita thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe Perëndimi ka refuzuar të njohë rezultatet zyrtare si dhe nuk e konsideron Lukashenkan si udhëheqësin legjitim të vendit.
Lukashenko gjithashtu pretendoi se disa “qeliza të fjetura terroriste” të lidhura me Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara, Lituaninë, Poloninë dhe Ukrainën janë ekspozuar në Bjellorusi, sipas agjencisë së lajmeve BelTA.
Vendet e përmendura nga Lukashenka ende nuk i kanë komentuar deklaratat e tij.
Më herët, autoritetet lituaneze thanë se migrantët vazhdojnë të arrijnë nga Bjellorusia.
Shërbimi i Sigurisë së Kufirit Shtetëror tha përmes një deklarate se 150 emigrantë të paligjshëm ishin zënë derisa po përpiqeshin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin Bjellorusi-Lituani.
Që nga janari, numri i përgjithshëm i emigrantëve të paligjshëm, të cilët hynë ilegalisht në Lituani nga Bjellorusia është 822, shtoi deklarata.
Lituania ka kërkuar ndihmën e agjencisë evropiane për kufijt, Frontex, për shkak të fluksit të migrantëve.
Lituania ka qenë një nga vendet më kritike ndaj Lukashenkas.
Shteti baltik i ka ofruar strehë, Svyatlana Tsikhanouskaya, për të cilën mbështetësit thonë se ishte fituesja e vërtetë e zgjedhjeve në Bjellorusi.