Vendosni fjalën kyçe....

“TikTok”-u do të rrisë kohëzgjatjen e videove në 3 minuta


TikTok ka vendosur të rrisë gjatësinë maksimale të videove në platformën e saj nga 1 minutë që është aktualisht, në 3 minuta.

Në një postim në blog, menaxheri i produktit Drew Kirchhoff tha se ndryshimi do të lejonte “tregime dhe argëtime edhe më të pasura”.

Që kur u lançua në vitin 2018, TikTok i ka kufizuar përdoruesit e saj në 60 sekonda për video, duke e veçuar atë nga konkurrentët si: “YouTube”.

Aplikacioni thotë se kjo do të ndryshojë për të gjithë përdoruesit “gjatë javëve të ardhshme”.

Kera Stewart

Kera Stewart, e cila është një bateriste që ka pasur sukses në TikTok duke arritur në një milion shikime në disa video, nuk është shumë dakord me risinë e re të aplikacionit.

“Personalisht, unë nuk jam adhuruese e idesë.”- i tha ajo Radio 1 Newsbeat.

“Arsyeja që TikTok ka qenë kaq i suksesshëm është sepse shfrytëzon hapësirën tonë të shkurtër të vëmendjes. Ju mund të merrni përmbajtje kaq shumë të ndryshme dhe argëtim në një periudhë të shkurtër kohe.

Ndjehem sikur tre minuta do ta ndryshojnë në mënyrë drastike aplikacionin.”- shprehet ajo, citon BBC.

Por sipas aplikacionit, ndryshimi ka ardhur sepse disa përdorues thonë “ata do të donin vetëm pak më shumë kohë”.

Platformat për video më të gjata tashmë ekzistojnë, kështu që çdo lëvizje si kjo pa dyshim rrezikon të zbehë atë që e bëri TikTok-un një sukses në radhë të parë. Por ekipi që qëndron pas aplikacionit qartë mendon se ia vlen të bëhet ndryshimi.