Vendosni fjalën kyçe....

Dosja “Shpirti”, dalin sot para GJKKO, prokurori Sota dhe 17 të arrestuarit e tjerë


Ditën e sotme do jepen në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit masat e sigurisë për 18 personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Shpirti”, pas hetimeve më shumë se një vit e gjysmë të SPAK dhe Antimafias italiane.

Mes të dyshuarve është edhe prokurori Maksim Sota, për të cilin GJKKO kishte caktuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ai është shoqëruar nga banesa e tij, për në GJKKO, dhe pritet që t’i komunikohet zyrtarisht “masa e sigurisë”.

Sipas dosjes hetimore, janë dy bashkëpunëtorët e drejtësisë, skafistët e penduar që kanë rrëfyer fakte e prova që komprometojnë prokurorin e Vlorës Maksim Sota.

Donial Drolli, i cili pas arrestimit në Itali është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, ka treguar se kreu i bandës kriminale të trafikut të drogës, Ilirjan Durçellari i kishte siguruar prokurorit shtëpi me qira jashtë Shqipërisë ku ai qëndronte me bashkëshorten e fëmijët.

Sipas Drollit, prokurori kishte dijeni që “Lani” (Ilirjan Durçellari) ishte i përfshirë në trafik droge e pavarësisht këtij fakti prokurori ka qëndruar në këtë banesë që paguhej nga Durçellari.

Kundër prokurorit ka folur dhe i penduari tjetër i drejtësisë, Mariglen Shusha.

Sipas tij, prokurori bisedonte me “Lanin” për probleme të ndryshme që ai kishte me drejtësinë dhe institucionet shqiptare.

Ai mësohet se ka rrëfyer që prokurori Maksim Sota ishte angazhuar për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Bazuar në këto dëshmi, SPAK ka ngritur akuzën e “shpërdorim detyre” ndaj Maksim Sotës dhe gjykata ka caktuar “arrest në shtëpi”.