Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthejnë zjarret e fuqishme në Qipro, autoritetet kërkojnë ndihmë ndërkombëtare


Autoritetet në ishullin e Qipros kërkuan ndihmë ndërkombëtare për të përballur situatën e krijuar nga zjarret që për shumë është më e vështira në histori.

Flakët, të ndihmuara dhe nga era e fortë janë përhapur me shpejtësi në distriktin jugor të Limassolit duke detyruar evakuimin e qindra banorëve. Dëmet materiale raportohet të jenë shumë të mëdha, por deri në këto momente nuk ka asnjë fatalitet.

Prej disa ditësh, ishulli i frekuentuar nga turistët është përballur me një valë të nxehti, me temperatura që arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Ekspertët mendojnë se ndryshimet klimatike kanë rritur frekuencën e fenomeneve ekstreme të motit, që sipas tyre do të përsëriten më shpesh.

Duke qenë se vatra ka marrë përmasa tepër të mëdha, autoritetet qipriote kërkuan asistencën e Bashkimit Europian dhe Izraelit, për të parandaluar që flakët t’iu afrohen zonave të banuara në Limassol dhe Larnaca.