Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i OBSH-së: Ka pabarazi tronditëse në vaksinim,  bota të bashkohet në luftën ndaj Covid-19


Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus u tha gazetarëve të mërkurën se bota ndodhet në një pikë të rrezikshme të pandemisë, në një kohë kur variante tejet ngjitëse të COVID-19-s po përhapen me shpejtësi për shkak të një qasjeje të pabarabartë ndaj vaksinimit.

Nga selia e agjencisë në Gjenevë, zoti Tedros tha se disa vende me nivele të larta vaksinimi po bëjnë plane për një dozë përforcuese në muajt në vazhdim si dhe po i lehtësojnë masat e shëndetit publik, sikur pandemia të kishte përfunduar tashmë.

Por sipas shefit të OBSH-së, për shkak të asaj që ai e quajti “pabarazi tronditëse në vaksinim”, dhe varianteve shumë ngjitëse të koronavirusit, shumë vende në çdo rajon të botës po shënojnë rritje të reja të infeksioneve dhe shtrimeve në spital.

Ai tha që kjo ka çuar në një mungesë akute të oksigjenit dhe trajtimeve si dhe po nxit një valë vdekjesh në disa pjesë të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine.

Zoti Tedros tha se në të gjithë botën, variantet e COVID-it po fitojnë garën ndaj vaksinave për shkak të prodhimit dhe shpërndarjes së pabarabartë të tyre, gjë që siç tha ai po kërcënon gjithashtu rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

Prej fillimit të pandemisë numri i vdekjeve si pasojë e koronavirusit e ka kaluar së fudmi të 4 milionët. Shumë vende po vazhdojnë ende përpjekjet për të siguruar furnizime të mjaftueshme me vaksina për të imunizuar popullatën e tyre.

Ai tha se “nacionalizmi i vaksinave, ku një numër i vogël vendesh kanë marrë pjesën e luanit, është moralisht i papërligjshëm dhe një strategji e paefektshme e shëndetit publik kundër një virusi që pëson mutacioneve të shpeshta dhe bëhet gjithnjë e më efektiv në transmetim nga një person tek tjetri”.

Zoti Tedros vuri në dukje se ministrat e financave të grupit të G-20s do të takohen më vonë gjatë kësaj jave në Venecia. Ai u bëri thirrje atyre dhe udhëheqësve të tjerë që të mbështesin në kërkesën e tij që deri në shtator të jetë vaksiuar 10 për qind e popullsisë në të gjithë botën dhe që kjo shifër të rritet në 40 për qind deri në fund të vitit.

Ai tha se sigurimi i fondeve të nevojshme për të rritur prodhimin dhe shpërndarjen e drejtë të mjeteve shëndetësore është mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund fazës akute të pandemisë, për të shpëtuar jetë e për të nxitur siç tha ai, një rimëkëmbje të vërtetë të ekonomisë botërore.