Vendosni fjalën kyçe....

Përplasjet në bregdet, Rama: Ç’janë këta që tërheqin prej hunde shefa komisariatesh, për rastin e Sarandës duheshin shkarkime


Kryeministri Edi Rama ka folur ashpër sot në takimin me përfaqësues të Policisë së Shtetit, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Duke iu referuar plagosjeve dhe të shtënave në lokalet në zonat bregdetare,  Rama u shpreh se pronarët e këtyre subjekteve që sfidojnë ligjin dhe shtetin i kanë kthyer shefat e komisariateve në tutorë të veprimtarisë së tyre dhe i “tërheqin për hunde”.

“Strukturat e policisë së shtetit dhe SHÇBA konstatojnë që rastet e denoncimet të qytetarëve nuk trajtohen me përgjegjësinë e duhur dhe në kohën e duhur. Sot kur ne jemi në sezon turistik dhe numri i lartë i pushuesve është domethënës, të kemi policinë e shtetit përmes individësh të padenjë të shkojë kundra detyrimit të të gjithëve bashkë për të sajdisur pushuesit sipas traditës shqiptare dhe standardeve të një vendi që pretendon të bëhet kampioni turizmit në Ballkan. Këtu dua të nënvizoj një fakt që në vetvete është sfidues për ligjin, shtetin dhe policinë e shtetit.

Kush janë këta pronarë lokalesh në zonat bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë kufirin e orës policore, krijojnë hapësirë për abuzim që degjeneron deri në krisma dhe plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur në lokal. Jua them unë kush janë këta. Këta janë tutorët e policisë së Shtetit në ato territore. Këta janë korruptuesit e policisë së shtetit. Janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformë që tërheqin për hunde policë dhe shefa komisariatesh duke i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm.

Rasti i Sarandës ishte alarmant. Ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë dhe jo me masa ordinere. Përjashtim imediat dhe ndëshkim penal të personave përgjegjës. Kush e mban përgjegjësinë për sakatimin e njerëzve në lokal në 1 të natës, përveç atyre që e kanë lejuar. Një sfidë ndaj ligjit dhe qytetarit të mirë.  Në mes të qytetit. Unë nuk mund të hyj tek ata që fajësojnë policinë e shtetit se një i çmendur shkel gazin dhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë apo se dy palë futen në konflikt në 1 të natës.“- deklaroi Rama.