Uefa ka hapur procedim disiplinore kundër Anglisë pas fitores së saj në gjysmëfinalen e Euro 2020 kundër Danimarkës.
Anglia fitoi 2-1 në ‘Wembley Stadium’ pas kohës shtesë për të kaluar në finale, ku ata do të luajnë me Italinë të dielën, por gjysmëfinalja e së mërkurës solli jo pak polemika.
Me rezultatin 1-1 në fund të kohës së rregullt, Raheem Sterling fitoi një 11-metërsh të diskutueshëm në pjesën e parë të kohës shtesë.
Trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand pranoi se vendimi i gjyqtarit për të dhënë 11-metërshin ishte i padrejtë. Një tifoz ngacmoi me një dritë lazer portierin e Danimarkës Kasper Schmeichel ndërsa ai u përgatit të përballej me Harry Kane.
Schmeichel arriti ta presë topin në gjuajtjen e parë, por Kane shënoi pasi topi u kthye sërish te ai.
Organi drejtues i futbollit evropian lëshoi një deklaratë që lexonte: “Akuza kundër Anglisë:
Përdorimi i lazerit nga mbështetësit e tij – neni 16 (2) (d) i rregullores disiplinore të UEFA-s (DR)
Shqetësimi i shkaktuar nga mbështetësit e saj gjatë himnit kombëtar – neni 16 (2) (g) DR
Ndezja e fishekzjarreve nga mbështetësit e saj – neni 16 (2) (c) DR
“Çështja do të hetohet nga Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës (CEDB) i UEFA-s në kohën e duhur.”