Komisioni Evropian ka gjobitur tre prodhuesit më të mëdhenj gjermanë të makinave – Daimler, BMW dhe Volkswagen – me një gjobë prej më shumë se 875 milionë eurosh, duke akuzuar kompanitë për krijimin e një karteli dhe bashkëpunim të paligjshëm për të kufizuar konkurrencën në teknologjinë e pastrimit të çlirimit të gazrave për makinat me naftë.
Grupi Volkswagen, i cili përfshin Volkswagen, Audi dhe Porsche, ra dakord të paguajë rreth 502 milionë euro ndërsa BMË pranoi të paguajë një shumë prej rreth 373 milionë eurosh.
Daimler mori imunitet të plotë dhe u përjashtua nga ndëshkimi sepse informoi Brukselin për ekzistencën e kartelit. Kompania mund të ishte përballur me një gjobë prej 727 milionë eurosh nëse nuk do të kishte dalë me zbulimet.
Brukseli zbuloi se kompanitë shumëkombëshe kanë punuar së bashku për më shumë se pesë vjet për të shmangur konkurrencën e ndershme në tregun e vetëm të BE-së.
Ekzekutivi thotë se karteli mbajti ‘takime të rregullta teknike’ për të diskutuar zhvillimin e teknologjisë së re që eliminon çlirimet e dëmshme të oksidit të azotit nga makinat me naftë.Kompanitë ranë dakord që ata nuk do ta përdorin teknologjinë në potencialin e saj të plotë dhe se asnjë prej tyre nuk do të synonte pastrimin mbi standardin minimal të kërkuar nga standardet e çlirimit të gazrave të BE-së.
Kjo marrëveshje e paligjshme midis prodhuesve eleminoi kërcënimin se njëri prej tyre do të pastronte gazrat më mirë se cilido nga të tjerët, një rregullim artificial që ekzekutivi e konsideron se ka shtrembëruar konkurrencën e ndershme.
“Konkurrenca dhe inovacioni në menaxhimin e ndotjes së makinave janë thelbësore për Evropën për të përmbushur objektivat tona ambicioze të Marrëveshjes së Gjelbër. Dhe ky vendim tregon se ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime kundër të gjitha formave të sjelljes së kartelit duke vënë në rrezik këtë qëllim,” tha Margrethe Vestager, Nënkryetari i Komisionit për Konkurrencën.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani