Vendosni fjalën kyçe....

Priten lëvizje të tjera, Veliu mbledh zv.drejtorët dhe shefat e komisariateve


Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka thirrur sot në një takim zëvendësdrejtorët e policive dhe shefat e komisariateve.

Ky takim vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama i bëri drejtuesit e Policisë së Shtetit për “ujë të ftohtë”.

Në këtë mbledhje, Veliu po i përsërit detyrat e lëna ditën e djeshme nga kreu i qeverisë. E ashtu siç paralajmëroi Rama, priten të tjera ndryshime në Policinë e Shtetit deri në nivele komisariatesh.

Kryeministri tha se lëvizjet do të vijojnë deri në nivele komisariatesh dhe po bëhen për një rienergjizim të ri të Policisë së Shtetit. Gjatë fjalës së tij, ai u tha drejtuesve të rinj që të kenë si prioritet mbrojtjen e imazhit të Policisë së Shtetit dhe dënoi fenomenin e ryshfetit. Por po ashtu ai u tregua i ashpër, duke iu drejtuar policëve lidhur me ngjarjet në bregdet: “Kush janë këta pronarë lokalesh në zonat bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë kufirin e orës policore, krijojnë hapësirë për abuzim që degjeneron deri në krisma dhe plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur në lokal. Jua them unë kush janë këta. Këta janë tutorët e policisë së Shtetit në ato territore.”