Holanda ka rivendosur kufizimet Covid-19 për klubet e natës, restorantet dhe festivalet e muzikës në përgjigje të një rritjeje të infeksioneve mes të rinjve, ka thënë kryeministri Mark Rutte.
Rivendosja e masave shëndetësore, të cilat u hoqën pak javë më parë, më 26 qershor, do të hyjë në fuqi nga e shtuna në mëngjes dhe do të qëndrojë në vend deri në 14 gusht, tha Rutte në një konferencë shtypi të premten.
Duke dalë së bashku me ministrin e Shëndetësisë Hugo de Jonge, kryeministri tha se sektori i mikpritjes dhe jetës së natës në vend duhej të mbyllej për shkak të një rritjeje të rasteve të variantit më infektues Delta të virusit.
Të gjithë restorantet dhe baret në Holandë do të duhet të mbyllin dyert e tyre nga mesnata deri në orën 6 të mëngjesit çdo ditë, ndërsa muzika ‘live’ do të ndalohet.
Një sistem biletash që lejon njerëzit të përjashtohen nga rregulli i distancës shoqërore do të ndalohet gjithashtu deri muajin tjetër, kur qeveria do të rishikojë situatën.
De Jonge tha se rritja e fundit e infeksioneve preku kryesisht të rinjtë, por paralajmëroi se ishte ‘e pashmangshme’ që të moshuarit gjithashtu të infektohen nëse qeveria nuk ndërmerr ndonjë veprim.