Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha të dielën se ndalimi i përdorimit të parajsave fiskale do t’i lejojë vendet të konkurojnë bazuar mbi parimet ekonomike – në vend që të ofrohen taksa gjithnjë e më të ulëta që privojnë qeveritë nga fondet për infrastrukturën dhe arsimin.
Zonja Yellen foli pasi ministrat e financave nga Grupi i 20 ekonomive kryesore miratuan një taksë minimale globale për korporatat prej të paktën 15%, një masë që synon shmamgien e përdorimit të parajsave fiskale.
“Në vend që të shtrohet pyetja: ‘Kush mund të ofrojë taksën më të ulët?’ kjo do të lejojë që të gjitha vendet tona të konkurrojnë në bazë të parimeve ekonomike – të aftësisë së krahut të punës dhe asaj të institucioneve tona ligjore dhe ekonomike,” tha ajo në një konferencë shtypi pas përfundimit të takimit në Venecia.
“Dhe kjo marrëveshje do t’u japë vendeve tona aftësinë për të mbledhur fondet e nevojshme për shërbimet e rëndësishme publike si infrastruktura, studimi dhe zhvillimi, si edhe arsimi,” shtoi zonja Yellen.
Propozimi për taksat përballet me pengesa politike dhe teknike përpara se të hyjë në fuqi. Detajet do të sqarohen në javët e ardhshme në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në Paris, duhet të pasohen nga një miratim përfundimtar nga presidentët dhe kryeministrat e Grupit të 20-es në një takim në fund të tetorit në Romë.
Më pas, vendet do të duhet ta parashikojnë atë përqindje takse në ligjet e tyre. Ideja është që vendet individuale të taksojnë fitimet e huaja të kompanive, nëse ato fitime nuk taksohen në parajsat fiskale. Kjo do të eliminonte shtysën për përdorimin e skemave komplekse të kontabilitetit për të zhvendosur fitimet në vendet me taksa të ulëta ku kompanitë kanë pak ose aspak aktivitet biznesi.
Shtetet e Bashkuara e kanë një taksë të tillë mbi fitimet nga jashtë vendit, por është nën minimumin e propozuar prej 15%. Republikanët e Kongresit e kanë kundërshtuar propozimin e Presidentit Joe Biden për të rritur taksën për fitimet e korporatave jashtë vendit në 21% për të kontribuar për fondet për infrastrukturën dhe investimet në energji të pastër. Presidenti demokrat ka një epërsi të lehtë në Kongres.
Tre vende të Bashkimit Evropian që morën pjesë në bisedime mbi taksën minimale kanë refuzuar të mbështesin propozimin. Irlanda, Hungaria dhe Estonia mund të pengojnë miratimin e saj në Evropë, ku çështjet e taksave kërkojnë unanimitet në BE. Irlanda, nivelet e ulëta të taksave të së cilës janë pjesë e modelit të saj ekonomik pro biznesit, ka thënë që niveli i saj prej 12.5% është një normë e drejtë.
Propozimi i taksave gjithashtu do t’u jepte vendeve të drejtën për të taksuar një pjesë të fitimeve të kompanive të mëdha globale që fitojnë para në juridiksionin e tyre por nuk kanë prani fizike atje. Shembujt do të përfshinin shitjen me pakicë në internet dhe reklamimin dixhital.
Disa vende, me në krye Francën, tashmë kanë filluar të vendosin taksa të tilla për kompanitë amerikane të teknologjisë si Google dhe Amazon. SHBA i konsideron taksa të tilla si praktika të padrejta tregtare dhe kanë kërcënuar të kundërpërgjigjen përmes tarifave për mallrat e importuara. Sipas marrëveshjes së taksave, vendet do t’i heqin këto taksa në favor të një qasjeje të unifikuar globale.