Vendosni fjalën kyçe....

Vrau dy shokët pas sherrit për borxhin prej 15 mijë paundësh, dënohet shqiptari dhe një britanik


Një shqiptar dhe një britanik, janë shpallur fajtorë për një vrasje të dyfishtë pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi prej 15 mijë paundësh.

Siç shkruan BBC më 19 dhjetor 2019, u vranë në veri-perëndim të Londrës dy shqiptarë: Shkëlqim Paja, 36-vjeç dhe Arber Fesko, 30-vjeç.

Trupi i Feskos u gjet në bagazhin e makinës së Pajës në Barnet, ndërsa ky i fundit u zbulua në një gardh rreth 6 milje larg në Elstree, Hertfordshire.

Lidhur me ngjarjen, policia arrestoi një person nga Catford, Kiziku Tuwizana, 33 vjeç si dhe një shtetas shqiptar, Besnik Berisha, 43 vjeç.

Në një seancë të mbajtur të premten e 9 korrikut, dy të akuzuarit u shpallën fajtorë nga gjykata.

Shkelqim Paja dhe Besnik Berisha njiheshin me njëri-tjetrin për rreth tre vjet para vrasjeve. Vitin e fundit, miqësia e tyre ishte prishur dhe kjo besohet të ketë ndodhur për shkak të një shume parash – rreth 15 mijë paundë që Berisha i detyrohej Shkelqimit.

Prokurorja Jane Bickerstaff tha në gjyq se Paja me Berishën kishin komunikuar me njëri-tjetrin vazhdimisht lidhur me paratë, pasi i pari dyshonte se shoku nuk kishte ndërmend t’ja kthente.

Më 3 dhjetor, Paja i kishte dërguar mesazh Berishës: “Hej shok, më duhen paratë”.

Më 18 dhjetor, Paja u mor vesh për të takuar Berishën dhe i dërgoi një sms: “A keni ndërmend të m’i jepni ato para apo jo?”

Zonja Bickerstaff u tha juristëve se të nesërmen, Berisha telefonoi Pajën dhe u duk se premtoi të paguante atë që i detyrohej.

Ai i tha se do ia jepte po atë natë në orën 20:00, i dërgoi më pas mesazh duke i treguar vendin se ku ai po e priste.

ADN-ja e Tuwizana-s u gjet në një thikë xhepi të kuqe pranë një pellgu me gjak ndërsa ajo e Berishës ishte në një këllëf thike bosh.

Në mbrojtje të tij, Berisha pretendoi se Fesko u bë agresiv dhe e fajësoi atë për një vjedhje të mëparshme në banesën e tij dhe e goditi atë në kokë.

Ai tha se pas kësaj ishin përgjigjur me thika.

Tuwizana tha se ai po shkonte në Colchester për të parë të dashurën e tij kur ai nisi makinën e viktimës me trupin e Feskos brenda.

Ai pretendoi se kishte pësuar një dëmtim të rëndë me thikë dhe ishte rrëzuar nga viktimat. Ai u tha anëtarëve të jurisë se ishte futur në Mercedes dhe u largua, pa e ditur se kishte një trup në bagazh.