Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të martë paketën e re të prokurimit publik, që synon sipas tij të kapërcejë sa më parë dhe sa më shpejt hendekun mes politikës dhe të ardhmes.
Në takimin me titullarët e autoriteteve kontraktore të ekzekutivit, Rama pranoi se 70% e tenderëve kanë pasur probleme, ku pjesa më e madhe ka pasur probleme sa i takon hartimit të kritereve.
“Janë asistuar 936 procedura të publikuara nga këto institucione, ndër to 70% e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve dhe për këtë arsye institucioneve përkatëse janë dërguar rekomandime nga Agjencia e Prokurimet. 20% e institucioneve nuk janë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve.”- u shpreh Rama.
Po ashtu Rama pranoi para ministrave se 30-50% e tenderave janë vetëm me një operator ekonomik. Lidhur me këtë, Rama tha se problemi është tek ‘qepja me dorë’ e kritereve për kualifikimin që ndikojnë në pjesëmarrjen dhe ngushtimin e konkurrencës së operatorëve. Po ashtu, një tjetër faktor sipas tij, është se punonjësit e angazhuar, nuk e kuptojnë procesin.
“Në problematikën e prokurimeve, armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim, që ndikojnë në uljen e pjesëmarrjes dhe në ngushtimin e hapësirës së konkurrencës së operatorëve ekonomik në procedurat e prokurimit publik.
Për vitin 2020 dhe periudhën janar-qershor 2021, janë asistuar nga APP 936 proceduara dhe nga këto, mesatarja e ofertave të kualifikuara është 2.56.
Nga ana tjetër, analiza e të gjitha procedurave të zhvilluara nga institucionet, rezulton se nga 25 institucione, 21 prej tyre, 30-50% të procedurave i kanë vetëm me një operator ekonomik, pavarësisht se procedura është e hapur.
Po ashtu, është me rëndësi për ta ditur që hetimet administrative të kryera nga Agjencia e Prokurimeve Publike, gjatë viti 2020 dhe 6 mujorit të parë të 2021 janë hetuar 57 procedura prokurimi. Rëndësi ka se janë konstatuar probleme në përllogaritjen e fondit limit, kritere kualifikimi që nuk kanë lidhje fare me objektin e kontratës, shpallje fitues e operatorëve që nuk plotësojnë kriteret dhe për këtë janë dënuar me gjobë 41 punonjës, dhe masë disiplinore 91 punonjës.
Në këtë moment është shumë e rëndësishme që të bëhet një analizë serioze e kapacitete njerëzore të angazhuara në këto procese sepse bie në sy niveli i ulët i kuptimit të vetë procesit, që pastaj krijon një efekt zinxhir dhe degradon procesin në rezultate të shëmtuara.”- tha Rama.