Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim lidhur me efektivitetin e politikave të ndjekura nga institucionet shtetërore për sa i përket ruajtjes e administrimit të pikave kryesore arkeologjike në Shqipëri për periudhën 2016-2019.
Pjesë e auditimit kanë qenë Ministria e Kulturës, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Vlorë, Njësia e Administrimit të Parkut Arkeologjik Kombëtar Butrint si dhe Njësia e Administrimit të Parqeve Arkeologjike Apolloni dhe Bylis. KLSH i ka audituar këto institucione për sa i përket mirëmenaxhimit të tyre por edhe promovimit ekonomik, kulturor e turistik.
Në përfundim të raportit të auditimit, KLSH-ka ka renditur shkeljet gjetura nga institucionet përkatëse si dhe ka bërë rekomandimet e duhura për përmirësimin e tyre.
Sipas raportit, Ministria e Kulturës, që është përgjegjëse për trashëgiminë kulturore ka ndjekur politika që nuk kanë qenë efektive. Ai vëren se mbivendosja e ligjeve, mungesa e një plani konkret e komunikimi i keq mes institucioneve ka bërë që administrimi i pikave kryesore arkeologjike në vend të mos jetë efektiv.
Po kështu në raport theksohet se përzgjedhja e kritereve të administrimit të këtyre pikave nuk ka qenë sipas shembullit më të mirë dhe administrimi është bërë pa analiza financiare e burimesh njerëzore.
Ndër elementët e rëndësishëm të raportit të KLSH-së është se Ministria e Kulturës e institucionet e tjera përgjegjëse kanë treguar dobësi për sa i përket ruajtjes, mbrojtjes e administrimit të parqeve arkeologjike në vend. Më poshtë është raporti i plotë i shkeljeve të gjetura nga KLSH-ja.
Gjetjet e auditimit
- Politikat shtetërore të ndjekura nga Ministria e Kulturës, si ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, për ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin dhe administrimin e siteve arkeologjike, për shkak të mungesës së një kuadri rregullator të plotë në menaxhimin e tyre, nuk kanë rezultuar efektive.
- Mbivendosja e legjislacionit, si pasojë e funksionimit të njëkohshëm të dy ligjeve për trashëgiminë kulturore, mungesa e akteve nënligjore zbatuese, miratimi i dokumentit strategjik pa plane konkrete veprimi, komunikimi ndërinstitucional i dobët, kanë bërë që menaxhimi i siteve të mos jenë efektiv.
- Përzgjedhja e kritereve të menaxhimit nuk është bërë mbi bazën e studimeve të kryera nga Ministria e Kulturës, si dhe modelit më të mirë, të integruar në kushtet shqiptare.
- Ndryshimi i strukturave të organizimit, funksionimit dhe administrimit të NJAKPA-ve është kryer pa analiza financiare, pa analiza burimesh njerëzore dhe nevojash për aftësi profesionale specifike, pa një planifikim mbi nevojat e konstatuara dhe rezultatet e dëshiruara.
- Ministria e Kulturës, institucionet e specializuara në fushën e trashëgimisë kulturore dhe NJAKPA-të kanë shfaqur dobësi në marrjen e masave për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të parqeve arkeologjike.
- Në mungesë të planeve për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e pasurisë kulturore, menaxhimi i siteve në këtë aspekt, nuk ka pasur efektivitet të plotë.
- Mangësitë infrastrukturore, logjistike dhe njerzore, në administrimin e parqeve, janë bërë pengesë për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për shfrytëzimin publik të tyre, nga ana e vizitorëve.
- Mangësi konstatohen edhe në promovimin e tyre nëpërmjet kanaleve të komunikimit masiv. Ministria e Kulturës nuk ka asnjë plan veprimi, sa i takon marrëdhënieve me mediat visive, lidhur me prodhimin, promovimin dhe transmetimin e dokumentarëve mbi sitet arkeologjik.