Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthen në flakë autobusi pranë Milanos, shoferi vlerësohet si hero pasi nxorri jashtë 25 fëmijët


Një shofer autobusi në Itali është vlerësuar si hero pasi arriti të nxirrte 25 fëmijë jashtë, pasi vuri re një problem me automjetin e tij para se të shpërthente në flakë.

Autobusi, i cili po transportonte fëmijë të moshës midis 14 dhe 16 në një kamp veror, mori flakë në një tunel rreth 50 milje në veri të Milanos.

Zjarrfikësit arritën shpejt në vendin e ngjarjes dhe shuan flakët.

Pamjet e publikuara nga departamenti i zjarrfikësve treguan si tymi po dilte nga tuneli, ndërsa ishin krijuar radhë të gjata të trafikut.

Shtatë fëmijë u dërguan në spital si një masë paraprake për shkak të thithjes së tymit, shkruan BBC.

Presidenti i rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana, vlerësoi mendimin e shpejtë të shoferit për tërheqjen dhe largimin e fëmijëve nga autobusi para se të “gllabërohej nga flakët”.

Ai gjithashtu falënderoi shërbimet e urgjencës që mbërritën në kohë dhe bënë të mundur shuarjen e flakëve. Pesë ekipe zjarrfikëse nga provincat Leço dhe Bellano në Lombardi u dërguan në vendin e ngjarjes pasi u njoftuan për incidentin që ndodhi të martën rreth orës 10:00.

Një zjarrfikës i tha agjencisë italiane të lajmeve Adnkronos se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një gomë e çarë.