Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në një studim voluminoz “Konkurrenca në Europën Juglindore 2021” evidentoi se trupa arsimore në Shqipëri rezulton te ketë nivelin më të lartë në indeksin arsimor.
Por gjithashtu Shqipëria kishte kërkesat më minimale në Rajon për studentët në degët e mësuesisë, pasi ata përzgjidhen në një note mesatare 7.5-10.
Në indeksin e aftësive të trupës arsimore, Shqipëria u vlerësua lart më 3.5, teksa mesatarja rajonale dha një rezultat të indeksit prej 2.5 në treguesin e arsimimit të mësuesve nga një vlerësim nga 1 deri në 5, (ku 1 nënkupton nivel të ulët dhe 5 nivel të lartë). Në rajon, Bosnja mori vlerësimin më të dobët për arsimin e mësuesve me një indeks, duke filluar 1.5.
Në të gjithë rajonin, vetëm Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë kritere të ulëta për pranimin e mësuesve.
Në Shqipëri, merren në konsiderate rezultatet e maturës shtetërore, por në realitet, në degët e mësuesisë pranohen nxënës me rezultate të ulëta pasi kuotat në dispozicion janë të larta.
E njëjta gjë ndodh edhe në Maqedoninë e Veriut ku të gjithë aplikantët në degët e mësuesisë pranohen në universitet pasi kuotat e pranimit janë më të larta se kërkesat.
Në katër ekonomitë e tjera të BB6, institucionet e arsimit të lartë kanë autonomi të plotë mbi kuotat e që kanë lidhje me degët e mësuesisë.
Në Shqipëri dhe Serbi, të gjithë mësuesve të shkollës fillore dhe të mesme u kërkohet të kenë një diplomë master, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi u kërkohet që të kenë të paktën një diplomë bachelor (ISCED 6).
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, kërkesa specifike për kualifikim për mësuesit ndryshojnë në të gjitha entitetet dhe kantonet, por të gjithë mësuesit duhet të kenë të paktën një diplomë bachelor dhe të marrin pjesë në programe studimi për të fituar njohuri pedagogjike.
Në Kosovë, aktet nënligjore përcaktojnë kërkesat minimale arsimore për mësuesit në secilin nivel të arsimit dhe lëndën.
Në vlerësimin PISA-s për vitin 2018, 26.4% e drejtorëve të shkollave të anketuar në Ballkanin Perëndimor raportuan se mësuesit në shkollën e tyre kishin të paktën një master.
OECD vlerëson se arsimi është themelor për konkurrencën e një ekonomie pasi formon bazën e kapitalit njerëzor dhe lejon individët të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për t’iu përshtatur ndryshimeve në tregun e punës. Teoritë e dhe praktika ka treguar se, arsimi dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor është përcaktuesi kryesor i rritjes ekonomike afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Forca e kualifikuar e punës është e domosdoshme për integrimin e një ekonomie në zinxhirët e vlerës globale dhe proceset e prodhimit dhe është një nxitje për produktivitetin e punës dhe arsye për konkurrencën e përgjithshme.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al