Vendosni fjalën kyçe....

“Si Pablo Escobar” – Çanta me kokainë hidhet nga avioni mbi një çati në Sardenjë, e pëson italiani


 

Një italian ka kopjuar teknikën e përdorur nga Pablo Escobar, duke hedhur pako me kokainë nga avioni.

Sikurse raportojnë mediet italiane, një burrë kishte përdorur teknikën e trafikantëve të Amerikës së Jugut për të hedhur drogën nga një aeroplan në Sardenjë. Mirëpo kokaina u gjet nga karabinierët.

Piloti 28-vjeçar Francesco Rizzo, i cili përdori këtë teknikë për të transportuar 8 kg e gjysmë kokainë të pastër në Sardenjë u vu në pranga.

Kjo sasi pasi të pritej, do të ishte rritur deri në 80 kg drogë për t’u shitur më pas në treg për një vlerë prej 8 milionë eurosh.

Po tentativa ishte e pasuksesshme pasi çanta e mbushur me drogë gabimisht përfundoi në çatinë e një shtëpie midis Nuraxinieddu dhe Baratici San Pietro. Ngarkesa dëmtoi edhe një panel diellor mbi çatinë ku ra. Këtu filloi hetimi nga ana e karabinierëve.

Lëvizjet e identifikuara me GPS e zbuluan 28-vjeçarin. Në ditën kur ra pakoja me drogë mbi çati, u zbulua se instruktori i fluturimit Francesco Rizzo ishte larguar nga aeroporti i Romës Urbe dhe, pasi kishte bërë një ndalesë në Monti della Tolfa di Santa Severa, një fshat në Romë, u drejtua për në Sardenjë. Pastaj, sapo ai arriti në provincën e Oristano, ai u zhduk nga radari për rreth 20 minuta gjatë të cilave piloti fluturoi në lartësi të ulët.

GPS i avionit, i analizuar nga ushtria, konfirmoi se në ato njëzet minuta ai fluturoi mbi zonën ku kishte rënë droga. Për tre muaj karabinierët ndoqën lëvizjet e Francesco Rizzo i cili aktualisht po punonte si pilot për një kompani hungareze për transportin e VIP-ve dhe njerëzit e pasur. Hetimet janë duke u zhvilluar për të gjetur personat e tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.