Vendosni fjalën kyçe....

Ramush Haradinaj: Edhe unë dhe familja e motrës sime u helmuam në Deçan


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj thotë se edhe ai ka qenë në mesin e të helmuarve në Deçan.

Në një intervistë për “Politiko” në Kanalin 10, Haradinaj ka konfirmuar se edhe ai ka pasur simptoma por jo të mëdha. Por familja e motrës së tij është prekur më shumë.

 “Të them të drejtën nuk kam pasur simptoma të mëdha, kam pasur pak por jo të mëdha. Fëmijët e motrës Antigonës po. Shumë të afërm. Nuk është diçka që shpjegohet si gjendje.”– tha Haradinaj.

Gjatë fjalës së tij, kreu i AAK-së tha se ka një qetësim të gjendjes: “Është zvogëluar numri i atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore që jep shpresë se do të ndërpritet kjo gjendje. Situatë mjaft e çuditshme dhe jo e zakonshme. Sidomos dy ditët e para kanë qenë të rënda. I kam parë njerëzit duke vuajtur e veçanërisht ishte e dhimbshme t’i shohësh fëmijët duke vuajtur.”

Kujtojmë se Haradinaj ka qenë pranë banorëve të Deçanit gjatë këtyre ditëve, ku një numër i madh i tyre raportoi se kishte patur simptoma të helmimit.